E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Djali i pronarit të “Pelikan Security” po shkonte të frynte qirinjtë, autorët i bënë pritë dhe qëlluan me breshëri
Lajme

Djali i pronarit të “Pelikan Security” po shkonte të frynte qirinjtë, autorët i bënë pritë dhe qëlluan me breshëri

Atentat tronditës në Tiranë – Plagosen djemtë e mitur të biznesmenit të njohur të sigurisë private, 11-vjeçari në gjendje kritike

Tiranë – Një atentat mafioz me breshëri plumbash ka tronditur mbrëmjen e së enjtes kryeqytetin, ku pre e një sulmi të armatosur kanë rënë djemtë e mitur të biznesmenit Vesel Bardhi Demiraj, pronar i kompanisë private të sigurisë “Pelikan Security”.

Ngjarja ndodhi rreth orës 21:50 pranë rrethrrotullimit të Shkozës, në Unazën e Madhe, ndërsa dy të miturit, Dior Demiraj, vetëm 11 vjeç, dhe vëllai i tij Marko Bardhi Demiraj, 17 vjeç, ndodheshin në një automjet tip “G-Class”, së bashku me shokun e tyre Kian Mullaj, 19 vjeç, dhe shoferin e tyre, 34-vjeçarin Arenc Stafa, punonjës i kompanisë së babait të tyre.

Sipas burimeve për Publik.al, makina luksoze me të cilën po udhëtonin të rinjtë u qëllua me dhjetëra plumba nga një fuoristradë tjetër në lëvizje, që dyshohet se u vu në ndjekje dhe u pozicionua për të kryer atentatin pranë tregut “Agropark”. Sulmuesit ende të paidentifikuar qëlluan pa mëshirë, ndërsa të plagosur mbetën të katër persona.

Dior Demiraj ditën e djeshme festoi ditëlindjen e tij të 11-të. Ndërkohë, burime për mediat bëjnë me dije se në momentin kur dhe ndodhi atentati ata po ktheheshin nga festa e ditëlindjes.

I mituri, së bashku me vëllain e tij dhe shokun e tyre 17-vjeçar kishin shkuar me automjetin në pronësi të Vesel Demirajt në pistën e garave në Pjesë.

Pasi kishin festuar aty ata, të shoqëruar nga 34-vjeçari, ishin nisur për t’u kthyer për në Tiranë, në Lundër për të vazhduar festën e ditëlindjes së 11-vjeçarit me familjarët.

Sipas informacioneve të bëra me dije deri më tani, gjatë kthimit ata ishin futur në Unazë për të dalë në Lundër dhe kur janë futur te rrethrrotullimi i Shkozës, rreth orës 21:30  teksa po vijon rrugën për në autostradë, një automjet tjetër tip fuoristradë i zuri pritë dhe filloi të qëllojë në drejtim të tyre.

Breshëria e plumbave ka vijuar deri te Agropark, Tregu Agro Ushqimor, ku dhe ka qenë pika kulminate e të shtënave me armë. Drejtuesi i “G-Classit”, 34-vjeçari Stafa ka tentuar t’i shmanget plumbave me aq sa ka mundur dhe të shpëtojë tre të rinjtë, por si pasojë e plagëve të marra ai humbi ndjenjat në zonën e Lundrës.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.