Dje ua uli, sot Bordi i Ramës ua ngre sërish çmimet shqiptarëve
Bordi i Transparencës ka vendosur rritjen e çmimeve të karburanteve në Shqipëri, duke reflektuar lëvizjet më të fundit në treg. Sipas vendimit të marrë në mbledhjen e datës 9 maj 2026, nafta është shtrenjtuar me 4 lekë për litër, ndërsa benzina ka pësuar një rritje prej 3 lekësh për litër.
Në bazë të këtij vendimi, çmimi maksimal i naftës (gazoil) për shitje me pakicë është caktuar në 197 lekë për litër, ndërsa për shitje me shumicë në 185 lekë për litër. Ndërkohë, benzina do të tregtohet deri në 182 lekë për litër në pakicë dhe 170 lekë për litër në shumicë.
Çmimet e reja kanë hyrë në fuqi menjëherë, konkretisht më 9 maj në orën 14:00, dhe do të mbeten në fuqi deri në një vendim të ri nga Bordi. Autoritetet kanë paralajmëruar operatorët e tregut për zbatim rigoroz të këtyre çmimeve, duke theksuar se çdo shkelje do të shoqërohet me masa të ashpra, deri në pezullim aktiviteti.
Institucionet përgjegjëse, përfshirë Ministrinë e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, deklarojnë se mbeten të angazhuara për të mbrojtur konsumatorët dhe për të garantuar konkurrencë të drejtë në tregun e karburanteve.
Në sqarimin shoqërues të vendimit, bëhet e ditur se çmimet aktuale janë nën kufijtë e përcaktuar nga akti normativ në fuqi. Kjo do të thotë se nuk aktivizohet mekanizmi i reduktimit të akcizës dhe, për rrjedhojë, taksa mbi karburantet do të vijojë të zbatohet në nivelin e plotë, 100%.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



