E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
‘Do kesh fatin e Noriegës’, si u kërcënua Berisha nga SHBA
Lajme

‘Do kesh fatin e Noriegës’, si u kërcënua Berisha nga SHBA

Rada: Do të rrëmbehej me helikopter

Kuvendi i Shqipërisë miratoi me 110 vota përfaqësimin e vendit në bordin e paqes, një vendim që ka nxitur debate politike dhe interpretime të ndryshme në skenën publike.

Gazetari Ardit Rada tha se opozita po përpiqet t’ia vështirësojë rrugën kryeministrit Edi Rama drejt Shtëpisë së Bardhë, duke shfrytëzuar faktin që aktualisht Shqipëria nuk ka një ambasador amerikan në detyrë. Sipas Radës, kjo situatë e bën më të vështirë që mesazhet e Uashingtonit të përcillen qartë dhe drejtpërdrejt në politikën shqiptare.

Ai theksoi se kjo nuk është hera e parë që opozita përdor argumentin e sovranitetit dhe Kushtetutës në momente kyçe, duke e krahasuar situatën aktuale me debatet që shoqëruan votimin e reformës në drejtësi.

“Opozita nuk është se nuk e kupton rëndësinë e çështjes, por është një përpjekje për t’ia vështirësuar rrugën Ramës drejt Shtëpisë së Bardhë. Është ajo fabula që kemi dëgjuar edhe kur votohej reforma në drejtësi, ku PD shfaqej tepër e shqetësuar për sovranitetin dhe Kushtetutën, ndërkohë që SHBA kanë qenë garantuese të demokracisë në Shqipëri prej 100 vitesh, edhe në kohën kur Berisha ishte pjesë e Partisë së Punës”, u shpreh Rada.

Duke folur për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane, gazetari nënvizoi se përveç mbështetjes në luftën kundër krimit dhe forcimit të demokracisë, fokusi i SHBA-ve ka qenë edhe te investimet ekonomike. Ai përmendi si shembuj konkretë parkun eolik në Tropojë, si dhe vizitën në Shqipëri të Ivanka Trump dhe Jared Kushner.

Rada hodhi poshtë pretendimet se SHBA mund të marrin një politikan shqiptar “me helikopter”, duke theksuar se një skenar i tillë ka qenë real vetëm një herë në historinë e vendit.

“Pretendimet se SHBA do ta marrin një politikan shqiptar me helikopter kanë ndodhur vetëm një herë realisht. Kjo është diskutuar në shtator të vitit 1998, kur flitej se dikush mund të rrëmbehej nga amerikanët dhe ai person ishte Sali Berisha”, tha ai.

Sipas Radës, pas ngjarjeve të 14 shtatorit 1998, kur Berisha vendosi dy tanke para selisë së Partisë Demokratike, dy zyrtarë amerikanë shkuan personalisht në selinë e PD-së dhe i dhanë një ultimatum të qartë.

“Ata i thanë që t’i hiqte tanket, përndryshe do të kishte fatin e Manuel Noriegës në Panama. Dhe ashtu ndodhi: vetëm 10 minuta më pas, Berisha ia ktheu tanket shtetit”, tregoi gazetari.

Në fund, Rada vuri në dukje kontradiktën që, sipas tij, qëndron në akuzat politike ndaj qeverisë aktuale.

“Unë nuk di që një president, nga njëra anë, të sjellë vajzën dhe dhëndrin në Shqipëri për të investuar dhe të mbështesë vizitën e tyre, dhe nga ana tjetër të marrë me helikopter Kryeministrin që do të firmosë projektet e familjes së tij. Para vizitës së Ivanka Trump dhe Jared Kushner është rasti i parkut fotovoltaik, ku një kompani amerikane mori certifikimin nga Belinda Balluku për një park eolik në Tropojë. Këto ngjarje tregojnë se Shqipëria po bën çdo gjë për t’i garantuar biznesit amerikan klimën që kërkon Uashingtoni”, përfundoi Rada.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.