E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
DOKUMENTI/ Emri i Ramës del në përgjimet e dosjes Balluku
Lajme

DOKUMENTI/ Emri i Ramës del në përgjimet e dosjes Balluku

Në përgjimet e përfituara nga sekuestrimi i telefonit të drejtorit të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi, duket se disa vendime për fituesit e tenderave të Unazës së Re janë dhënë drejtpërdrejt nga kryeministri Edi Rama.

“Ia ka premtuar Rama atij”, thuhet në një nga mesazhet e shkëmbyera mes Berberit dhe zv.kryeministres Belinda Balluku, të cilin kreu i opozitës, Sali Berisha, e bëri publik sot përpara mediave, duke iu referuar dosjes së SPAK.

Bëhet fjalë për një komunikim të datës 13 tetor 2021, gjatë supervizimit të një loti të Unazës së Madhe të Tiranës. Sipas Berishës, përgjimet përmbajnë një gjuhë të ashpër, herë-herë vulgare, dhe në një rast emri i kryeministrit përmendet me inicialin “R”. Ai thekson se këto biseda shpjegojnë edhe mbrojtjen e Ballukut nga Rama, pasi në një moment zv.kryeministrja i thotë Berberit se shqetësohet që po e anashkalon duke komunikuar drejtpërdrejt me “shefin e madh”.

Që prej nisjes së hetimeve të SPAK ndaj Ballukut, kryeministri Rama ka dalë hapur në mbrojtje të saj. Ai iu drejtua Gjykatës Kushtetuese për të rrëzuar masën e pezullimit nga detyra, duke e arritur këtë qëllim, dhe paralajmëroi se mazhoranca nuk do të dorëzojë automatikisht imunitetin e saj në Kuvend, pas kërkesës për arrest nga SPAK.

Të martën, kreu i SPAK, Altin Dumani, i kërkoi Kuvendit autorizimin për heqjen e lirisë ndaj Ballukut, e cila dyshohet për paracaktimin e disa tenderave me vlera qindra milionë euro. Në kërkesë, SPAK synon të forcojë masat e sigurisë ndaj saj, duke përfshirë ndalimin e daljes jashtë shtetit dhe pezullimin nga detyra, si dhe mundësinë e arrestit me burg ose arrest shtëpie.

Menjëherë pas këtij zhvillimi, kryeministri reagoi në rrjetin social X, duke denoncuar “arreste pa gjyq” dhe një “modë të vrazhdë paraburgimesh” në vend. Ai nënvizoi se kjo situatë kërkon një qëndrim të drejtë dhe të përgjegjshëm nga mazhoranca, duke e lidhur me detyrën e saj për të mbajtur drejtësinë në vend dhe për të ruajtur Reformën në Drejtësi.

Opozita e akuzoi Ramën se përmes mbrojtjes së Ballukut po sfidon institucionet e drejtësisë. Berisha shprehet se sjellja e kryeministrit lidhet drejtpërdrejt me përfshirjen e tij në shpërndarjen e tenderave që janë nën hetim nga prokuroria, duke e pozicionuar Ramën në qendër të kësaj afere.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.