Doli në protestë me vajzën 1-vjeçare, flet i riu: Mllefi ka tejkaluar çdo gjë!
Një ditë pasi u shfaq në protestën e Tiranës me vajzën e tij vetëm 1 vjeçe në krah, Eris Xhaja ka shpjeguar arsyet që e shtynë të ndërmerrte këtë veprim, i cili u bë gjerësisht i komentuar në rrjetet sociale.
Në një intervistë televizive për emisionin “Shqipëria Live”, Xhaja tha se vendimi i tij lidhej me shqetësimin si prind për situatën e krijuar dhe me dëshirën që protesta të vijonte, por pa përplasje dhe dhunë.
Ai sqaroi se nuk kishte synuar të ndalte tubimin, por të sillte një qasje tjetër, duke u bërë thirrje qytetarëve të përdorin forma të tjera presioni ndaj qeverisë.
“E ndjeva detyrim si prind të dilja në atë protestë. Doja që kjo gjë të mos vazhdonte më. Protesta të vazhdojë, por jo dhuna”, u shpreh Xhaja, duke argumentuar se bojkoti dhe bllokimi i rrugëve mund të shërbejnë si forma kundërshtimi.
Sipas tij, prania me vajzën në krah ishte edhe një mënyrë për të ndikuar te protestuesit që të reflektonin mbi mënyrën se si zhvillohet protesta. Ai pretendoi se, në momentin kur iu bashkua tubimit, situata ishte e qetë dhe se synimi i tij ishte t’i jepte protestës një tjetër mesazh.
Kritikat në rrjetet sociale: “U morën me mua, jo me kauzën”
Pas publikimit të pamjeve, Xhaja u përball me komente kritike nga përdorues të rrjeteve sociale, të cilët e interpretuan veprimin e tij si një përpjekje për të zbehur protestën.
Ai kundërshtoi këto akuza, duke thënë se reagimet ndaj tij e kishin zhvendosur vëmendjen nga çështja kryesore dhe nga shqetësimet e qytetarëve.
“Unë mendoj që mllefi i qytetarëve ka tejkaluar çdo gjë, saqë arriti të më baltosnin mua, në vend që të merreshin me kauzën”, deklaroi ai.
Xhaja tha gjithashtu se dëshironte që vajza e tij, kur të rritet, të jetë e ndërgjegjshme për përgjegjësinë që çdo qytetar ka ndaj vendit dhe të ardhmes së tij.
“Po dhunohen adoleshentët”
Gjatë intervistës, i riu ngriti shqetësimin për përplasjet e raportuara gjatë protestave, duke dënuar dhunën ndaj të miturve dhe adoleshentëve.
“Po ndodh gjakderdhje, po dhunohen dhe masakrohen adoleshentë. Nuk duhet që ata të dhunohen”, u shpreh ai.
Xhaja tregoi edhe se aktualisht është pa punë dhe se prej vitesh ka punuar si kamarier.
Dalja e tij në protestë me vajzën e vogël u kthye në një nga momentet më të komentuara të tubimit, duke hapur debat mbi mënyrat e protestës, kufijtë e përballjes dhe mesazhin që përcillet në një situatë të tensionuar politike e shoqërore.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



