“Erdhi veza, ku je?”, protestuesit ironi me shefin e komisariatit nr.1
Shefi i Komisariatit nr. 1 në Tiranë, Ervin Hasrama, është bërë sërish pjesë e vëmendjes pas protestës së 23 korrikut, ku u godit me vezë nga protestuesit pas publikimit të pamjeve ku ai shfaqej duke përdorur spraj me piper ndaj qytetarëve gjatë tubimit.
Sipas protestuesve, përdorimi i sprajit ndaj disa prej tyre ishte i pajustifikuar, pasi ata pretendonin se nuk po kryenin veprime agresive apo të dhunshme ndaj forcave të rendit.
Ditën e sotme, një grup protestuesish u mblodhën para Komisariatit nr. 1 në shenjë mbështetjeje për personat e shoqëruar gjatë protestave, ndërsa nuk harruan t’i rikujtonin shefit të komisariatit episodin e ditëve të fundit.
“Erdhi veza sot, ku je? Na thuaj synin si e ke”, dëgjohej të thërrisnin disa prej të rinjve gjatë tubimit.
Gazetari Visar Dalipi, duke komentuar situatën, u shpreh se një efektiv i veshur me një uniformë ndryshe nga pjesa tjetër e forcave të rendit dhe që ishte filmuar duke përdorur spraj ndaj protestuesve, ishte bërë objekt i reagimeve pas incidentit me vezë.
“Një person që mbante një uniformë ndryshe nga të tjerët dhe shënjestronte me spraj qytetarët, ka një shenjë në sy që i ka mbetur nga veza. Po e pyesim për njerëzillëk se si e ka syrin”, u shpreh Dalipi.
Ndërkohë, gazetari Osman Stafa pyeti nëse bëhej fjalë për shefin e Komisariatit nr. 1, ndërsa Dalipi konfirmoi se reagimi i protestuesve lidhej pikërisht me të.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



