Sulmi i protestuesve ndaj Bledi Manes, reagon Policia e Shtetit
Policia e Shtetit ka reaguar pas incidentit të regjistruar një ditë më parë në Tiranë, ku gazetari Bledi Mane u sulmua me vezë nga disa protestues.
Në njoftimin zyrtar, uniformat blu bëjnë me dije se po kryhen veprimet procedurale për të dokumentuar rrethanat e ngjarjes, për të identifikuar personat që morën pjesë në incident dhe për t’ia referuar çështjen Prokurorisë.
Policia e Shtetit e konsideron të papranueshme përdorimin e dhunës, kanosjes apo intimidimit ndaj qytetarëve, pavarësisht bindjeve apo qëndrimeve të tyre.
Në reagim theksohet se e drejta për protestë nuk mund të shndërrohet në një mjet për të sulmuar persona që kanë mendime të ndryshme.
“Policia e Shtetit dënon çdo akt dhune, kanosjeje apo intimidimi ndaj qytetarëve dhe garanton të drejtën kushtetuese për të protestuar në mënyrë paqësore”, thuhet në reagimin zyrtar.
Më tej, Policia nënvizon se asnjë individ apo grup nuk mund të marrë rolin e institucioneve dhe të vendosë vetë se kush duhet të ndëshkohet.
“Askush nuk mund të marrë ligjin në duart e veta, të vendosë se kush duhet ndëshkuar dhe ta zbatojë këtë vendim në rrugë”, thuhet në njoftim, ku shtohet se zbatimi i ligjit është përgjegjësi e institucioneve shtetërore.
Policia u ka bërë thirrje qytetarëve të shmangin konfrontimet dhe të mos i përgjigjen dhunës me dhunë. Sipas saj, çdo person që ndihet i kërcënuar apo i kanosur duhet t’u drejtohet strukturave të Policisë, ndërsa kallëzimet do të trajtohen në përputhje me procedurat ligjore.
Në përfundim, Policia e Shtetit deklaron se do të garantojë në mënyrë të barabartë sigurinë e qytetarëve, pavarësisht nëse ata marrin pjesë në protesta apo kanë qëndrime të ndryshme.
Reagimi vjen në një kohë kur incidenti ndaj gazetarit Bledi Mane ka hapur debat mbi kufijtë e protestës dhe mënyrën se si duhet të trajtohen rastet kur kundërshtimi politik apo shoqëror kalon në përplasje dhe intimidim ndaj individëve.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



