E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Donald Trump i shuan edhe shpresën e fundit Edi Ramës
Bota

Donald Trump i shuan edhe shpresën e fundit Edi Ramës

Deklarata nga Ankara hedh pikëpyetje mbi Samitin e NATO-s në Tiranë

Kryeministri Edi Rama e ka paraqitur prej muajsh organizimin e Samitit të NATO-s në Tiranë si një sukses të rëndësishëm diplomatik për Shqipërinë, duke deklaruar në disa raste se në vitin 2027 vendi do të presë edhe presidentin amerikan Donald Trump.

Megjithatë, një deklaratë e fundit e Trump nga Ankara ka ngritur pikëpyetje si për pjesëmarrjen e tij në samitet e ardhshme të Aleancës, ashtu edhe për vetë zhvillimin e samitit në kryeqytetin shqiptar.

Gjatë një deklarate për mediat, Trump u shpreh se nuk ishte i kënaqur me NATO-n dhe la të kuptohej se pjesëmarrja e tij në samitin e zhvilluar në Turqi lidhej më shumë me marrëdhënien personale me presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan.

“Isha shumë i zhgënjyer me NATO-n dhe, sinqerisht, nëse samiti nuk do të ishte mbajtur në Turqi, ku miku im është një udhëheqës shumë i fortë, ndoshta nuk do të kisha marrë pjesë”, deklaroi Trump.

Deklarata e presidentit amerikan sugjeron se pjesëmarrja e tij në samitet e NATO-s nuk është më automatike dhe se faktorët politikë e personalë mund të ndikojnë në vendimmarrjen e tij.

Pasiguri edhe për samitin në Tiranë

Komentet e Trump vijnë në një moment kur edhe vetë organizimi i Samitit të NATO-s në Tiranë mbetet i paformalizuar.

Prej javësh, media ndërkombëtare ka raportuar se Shqipëria nuk përmendet në draft-deklaratën e samitit të zhvilluar në Ankara si vendi pritës i takimit të ardhshëm të Aleancës.

Sipas raportimeve të Reuters, që citojnë diplomatë të NATO-s, emri i Shqipërisë mungon në draftin e deklaratës finale. Edhe Radio Evropa e Lirë ka raportuar, duke iu referuar burimeve diplomatike, se Tirana nuk është përfshirë në dokumentin që vijon të negociohet.

Sipas këtyre raportimeve, pasiguria lidhet me dy faktorë kryesorë:

  • pakënaqësinë e disa aleatëve, veçanërisht të Shteteve të Bashkuara, për nivelin e shpenzimeve shqiptare në mbrojtje;
  • dëshirën e administratës amerikane për të reduktuar numrin e samiteve të NATO-s.

Rama ndërtoi një pjesë të narrativës politike mbi samitin

Vetëm një vit më parë atmosfera ishte krejt tjetër. Pas Samitit të Hagës, liderët e Aleancës deklaruan se samiti pasues do të zhvillohej në Shqipëri.

Mbi këtë zhvillim, kryeministri Rama ndërtoi një pjesë të rëndësishme të mesazheve të tij politike, duke e cilësuar organizimin e samitit si një arritje historike për vendin dhe duke folur disa herë për vizitën e Donald Trump në Tiranë.

Megjithatë, zhvillimet e fundit tregojnë se organizimi i samitit nuk konsiderohet më një çështje e mbyllur.

Shqipëria rrit fondet për mbrojtjen

Në përpjekje për të përmbushur angazhimet ndaj Aleancës, qeveria shqiptare ka miratuar ndryshime në buxhet, duke njoftuar se shpenzimet për mbrojtjen do të arrijnë në 2.6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Megjithatë, edhe në rast se Shqipëria konfirmohet si vendi pritës i samitit, deklarata e Trump ngre një tjetër pikëpyetje: nëse presidenti amerikan do të marrë pjesë personalisht.

Për herë të parë, Trump pranoi publikisht se nuk është entuziast për samitet e NATO-s dhe la të kuptohet se prania e tij në Ankara lidhej më shumë me marrëdhënien me presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan sesa me vetë Aleancën.

Nëse ky qëndrim mbetet i pandryshuar, sfida për qeverinë shqiptare nuk lidhet vetëm me organizimin e samitit në Tiranë, por edhe me mundësinë që figura, prania e së cilës është përmendur shpesh në komunikimin politik të kryeministrit Rama, të mos jetë pjesë e tij.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.