Dosja “Balluku”, zbardhet dëshmia e Ilir Shtufit
Evis Berberi kërkoi të më takonte disa herë
SPAK ka zyrtarizuar akuzën ndaj zv/kryeministres Belinda Balluku, ndërsa paralelisht ka kërkuar autorizim për arrestimin e saj, në kuadër të hetimeve që lidhen me procedurën e prokurimit për “Ndërtimin e Unazës së Jashtme të Tiranës, Loti 4”.
Në dosjen hetimore përfshihet edhe dëshmia e biznesmenit Ilir Shtufi, përfaqësues i shoqërisë “Nova Construction 2012” sh.p.k., si dhe përmendet ish-drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), Evis Berberi.
Sipas dëshmisë së dhënë më 8 dhjetor 2025, Ilir Shtufi ka shpjeguar rrethanat e bashkëpunimit me shoqëritë e tjera pjesëmarrëse në tender. Ai deklaron se fillimisht ka pasur hezitime për bashkëpunimin me shoqërinë “Euroteorema Peqin”, për shkak se kjo e fundit kërkonte mazhorancën e punimeve në kuadër të kontratës.
Gjatë kësaj periudhe, sipas Shtufit, një inxhinier i kompanisë së tij e ka informuar se Evis Berberi kishte kërkuar disa herë ta takonte. Ai pohon se e ka pranuar takimin, duke qenë se Berberi ishte titullari i autoritetit kontraktor për procedurën e prokurimit, ku kompania e tij synonte të konkurronte.
Pas këtij takimi, sipas dëshmisë së administruar nga SPAK, Shtufi ka vendosur të bashkëpunojë me shoqërinë “Euroteorema Peqin”.
Nga aktet e hetimit rezulton gjithashtu se Belinda Balluku, në cilësinë e Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë në atë periudhë, ka ndjekur dhe orientuar në mënyrë të vazhdueshme procedurën e prokurimit të zhvilluar nga ARRSH, institucion në varësi të ministrisë që ajo drejtonte. Sipas SPAK, ky rol është ushtruar si në fazën përgatitore të tenderit, ashtu edhe gjatë zhvillimit të procedurës.
Hetimet për çështjen vijojnë, ndërsa priten vendimet e mëtejshme të organeve të drejtësisë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



