Dosja Bankers, GJKKO nxjerr nga arresti shtëpiak 4 të pandehurit
Gjykata e Posaçme ka vendosur ndryshimin e masave të sigurisë për katër të pandehur të përfshirë në dosjen “Bankers”, duke i liruar nga arresti në shtëpi dhe duke vendosur masa më të lehta.
Vendimi prek ish-drejtorin Leonidha Cobon, drejtorin e përgjithshëm të Bankers Petroleum, Hong Ping Xiao, si dhe Ardit Kero dhe Lianyi Wang. Për ta, gjykata ka vendosur “ndalim daljeje jashtë vendit” dhe “detyrim paraqitjeje”.
Kërkesa për ndryshimin e masave u paraqit nga prokurorët e posaçëm Enkelejda Millonai dhe Anita Jella, me argumentin se ka përfunduar afati 9-mujor i paraburgimit. Ndërkohë, mbrojtja kishte kërkuar që të pandehurit të hetohen pa masa sigurie.
Katër të pandehurit përballen me akuza të rënda, përfshirë krijim skemash mashtruese me TVSH, fshehje të ardhurash, pastrim parash, shpërdorim detyre dhe mosveprim nga organet tatimore.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



