Avokatja caktohet kryesisht dhe çështja shkon në gjykim për 14 sekonda
Një denoncim i fortë është bërë publik në rrjetet sociale nga avokati Arben Llangozi, i cili ngre shqetësime serioze për mënyrën e zhvillimit të një procesi gjyqësor në Sarandë.
Sipas tij, një seancë gjyqësore ka shënuar një situatë të pazakontë, ku avokatja e caktuar kryesisht ka marrë përsipër mbrojtjen dhe çështja ka kaluar në shqyrtim brenda vetëm 14 sekondash. Llangozi e cilëson këtë si një shkelje të rëndë të standardeve të procesit të rregullt ligjor.
Në reagimin e tij, ai shpjegon se seanca ishte planifikuar për në orën 13:00, por ka nisur me vonesë rreth orës 14:10. Ndërkohë, avokatët e zgjedhur kishin pritur për më shumë se një orë, çka sipas tij është reflektuar edhe në procesverbal.
Më tej, sipas Llangozit, në momentin e nisjes së seancës, gjykata ka caktuar një avokate kryesisht, e cila ka pranuar mbrojtjen pa u njohur me çështjen. Ai pretendon se brenda pak sekondash janë kryer veprimet procedurale, përfshirë legjitimimin dhe tërheqjen e gjykatës për vendim.
Avokati thekson se, sipas dokumentimit, mbrojtja nuk ka kërkuar kohë për t’u njohur me dosjen, nuk ka kërkuar shtyrje të seancës dhe nuk ka paraqitur asnjë kundërshtim, duke ngritur pikëpyetje mbi respektimin e të drejtave të të pandehurve.
Në përfundim të reagimit, Llangozi i bën thirrje institucioneve përgjegjëse, përfshirë Dhomën Kombëtare të Avokatisë dhe Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, që të verifikojnë rastin dhe të marrin masa nëse konstatohen shkelje.
Deri më tani, nuk ka një reagim zyrtar nga institucionet e drejtësisë lidhur me këto pretendime.
Postimi i plotë:
Në Sarandë, drejtësia duket se është kthyer në një teatër të turpshëm dhe dramë për qytetarët. Vëndi ku prokuroria kërkon, gjykata vulos dhe avokatja e caktuar kryesisht shërben vetëm si kukull e proçesit dhe nuk kupton se për cfqr akuzohen të pandehurit .
Çështja në fjalë ka të bëjnë me një çështje ku gjykata kishte caktuar seancën në orën 13:00. Avokatët e zgjedhur u paraqitën dhe pritën mbi një orë fakt i dokumentuar në procesverbal. Dhe nga sekretaria i është thënë se janë për tu gjykuar edhe katër çështje të tjera.
Gjykata e nisi seancën rreth orës 14:10 me afro një orë e dhjtetë minuta vonesë për shkak të vetë saj, por në vend që të merrte përgjegjësinë për kaosin që krijoi, ua faturoi pasojat të pandehurve dhe mbrojtjes së tyre.
Ky është absurd i rrëndomtë i drejtësisë së re, gjykata shkel orarin, mban avokatët në pritje dhe më pas sillet sikur problemi janë avokatët, jo vetë gjykata e cila nuk respekton orarin e punës fillojnë çështjet çdo ditë në orën 10:00.
Më pas nis skena më e rëndë. Në orën gjykata cakton avokatë kryesisht, në 14:11:31, avokatja e caktuar kryesisht deklaron se merr përsipër mbrojtjen pa e marrë veshë asnjëher se për çfar akuzoheshin klientët e sajë. Në orën 14:11:33 legjitimohet. Në orën 14:11:45 gjykata tërhiqet për vendim.
Avokates së famshme ju deshën katërmbëdhjetë sekonda për të “mbrojtur” dy të pandehur. Katërmbëdhjetë sekonda për të marrë vesh se për çfarë akuzohen. Katërmbëdhjetë sekonda për të lexuar dosjen, për të analizuar provat, për të komunikuar me klientët, për të kuptuar pozitat e tyre dhe për të ngritur kërkesat procedurale që mund të përcaktonin të ardhmen e procesit.
Procesverbali dokumenton qartë se avokatja nuk pati kohë as të kuptonte akuzën, e jo më të ushtronte mbrojtje. Ajo nuk kërkoi dosjen, nuk kërkoi shtyrje, nuk kërkoi takim me të pandehurit, nuk kërkoi asnjë minutë për t’u njohur me çështjen dhe nuk ngriti asnjë kundërshtim. Thjesht shqiptoi fjalinë “marr përsipër mbrojtjen” dhe u kthye në dekorin që i duhej gjykatës për ta mbyllur farsën nē shënjë hakmarrjeje.
Një avokat që nuk di akuzën, nuk njeh provat dhe nuk ka folur me klientin nuk po mbron askënd. Po i shërben vetëm gjyqtarit patronazhist të partisë.
Kjo është arsyeja pse qytetarët humbin besimin te drejtësia. Jo nga fjalët, por nga skandale të tilla, ku avokat prokuror dhe gjyqtar bashkëpunojnë kundër drejtësisë dhe qytetarit.
Gjykata kishte një orë kohë të vonohej, por nuk kishte pesë minuta kohë për të garantuar mbrojtjen. Kishte kohë t’i mbante avokatët në korridor, por jo të respektonte të drejtën e të pandehurve. Kishte kohë të krijonte shkeljen, por jo ta ndreqte.
Kjo nuk është drejtësi. Kjo është përdhosje e drejtësisë, tallje me ligjin dhe poshtërim i profesionit të avokatit. Dhe kur një çështje dërgohet në gjyq nga një avokate që nuk ka marrë vesh as akuzën, atëherë fjala “proces i rregullt” nuk është më argument. Është fyerje.
Dhoma Kombëtare e Avokatisë duhet të procedojë dhe ti heqin Liçencen avokates që pranoi këtë farsë pa njohur akuzën, pa parë dosjen dhe pa folur me klientët për 14 sekonda, ndërsa ILD duhet të hetojë gjyqtaren që e ktheu një të drejtë kushtetuese në dekor procedural.
Nëse institucionet heshtin edhe përballë këtyre 14 sekondave të dokumentuara, atëherë nuk po mbrojnë drejtësinë, por po mbrojnë përdhosjen e saj.