Xhafaj ‘trimërohet’ para KLP-së: Jeni më të dobëtit e drejtësisë
Akuza të forta për nepotizëm dhe trajnimet “për qoka”
Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) është përballur me kritika të forta gjatë raportimit të fundit në Komisionin e posaçëm parlamentar, ku u vunë në diskutim serioz efikasiteti, vendimmarrjet dhe mënyra e menaxhimit të burimeve njerëzore në këtë institucion.
Kryetari i komisionit, Fatmir Xhafaj, e cilësoi KLP-në si një nga pikat më problematike të sistemit të drejtësisë në vend, duke ngritur shqetësime për rolin dhe performancën e tij.
“Në vlerësimin tim, në punën e KLP ka disa hapa pozitivë, por mbetet KLP një nga sistemet më të dobëta të drejtësisë në Shqipëri. Shumë çështje që lidhen me sistemin e prokurorisë gjenerojnë nga vendimmarrje të diskutueshme të KLP. Në krahasim me vitet e tjera ka përmirësim, por krahasuar me çfarë i ka dhënë ligji, krahasuar me pritshmëritë e BE, ka shumë për të bërë”, tha Xhafaj.
Paradoksi i vakancave: mbi 100 vende bosh, kërkohen vetëm 12 prokurorë
Një nga temat më të debatuara ishte menaxhimi i burimeve njerëzore. Pavarësisht pranimit nga kryetarja e KLP-së, Mirela Bogdani, se ekziston një numër i lartë vakancash, strategjia për plotësimin e tyre u kritikua ashpër.
Xhafaj akuzoi KLP-në për mungesë vizioni dhe planifikim të gabuar në raport me Shkollën e Magjistraturës.
“Keni qenë të paaftë të bëni llogari të kësaj natyre apo ka një lloj papërgjegjshmërie? Vitin e kaluar i keni kërkuar Shkollës së Magjistraturës vetëm 12 prokurorë. Nuk ka një numër zyrtar. Edhe për plotësimin e vakancave kërkoni 12 prokurorë, ku kishit mundësinë për më shumë, ju vetë, ndërkohë që keni mbi 100 vakanca, keni disa vakanca të fshehura, unë kam vite që e trajtoj këtë gjë. Nuk kërkoni shtim të prokurorëve përmes Shkollës së magjistraturës, as shtim të numrit të përgjithshëm. Si do ta zgjidhim? Kur do të kemi një plotësim të plotë të vakancave sipas numrit aktual të prokurorëve dhe vakancave efektive?”, iu drejtua ai Bogdanit.
Nga ana e saj, Bogdani u mbrojt duke theksuar se vendimet janë ndikuar nga standardet e cilësisë së kandidatëve.
“Arsyeja që u parashtrua ishte cilësia e numrit të kandidatëve”, u shpreh Bogdani.
Akuzat për nepotizëm dhe “qoka” në punësime
Debati u përshkallëzua më tej kur u prek tema e rekrutimeve dhe trajnimeve në institucion.
Xhafaj ngriti dyshime për nepotizëm, duke sugjeruar se KLP është kthyer në një strukturë ku favorizohen lidhjet familjare dhe miqësore.
“Keni nevojë për shtesa? Jo për të bërë qokë, për të marrë shokët e miqtë, burrat, gratë, fëmijët e prokurorëve, gjyqtarëve apo politikanëve? Ju dhe disa institucione të tjera, e keni bërë si vend ku bashkohen fëmijët e prokurorëve dhe gjyqtarëve”, u shpreh kryetari i komisionit.
Në përgjigje, kryetarja e KLP-së sqaroi se trajnimet realizohen përmes ASPA-s ose me mbështetjen e donatorëve ndërkombëtarë, ndërsa theksoi nevojën për programe të posaçme për vetë anëtarët e Këshillit.
BKH dhe përplasjet e brendshme/ kërkohet ndjesë publike
Sa i përket emërimit të drejtuesit të ri të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), Bogdani u shpreh se procesi është ende në fazë të hershme dhe kërkon kohë.
“Ende s’kemi bërë ndonjë përpjekje duke qenë se sapo u përmbyll përzgjedhja. Nuk është i rëndësishëm vetëm emërimi, por edhe ndërveprimi për të reflektuar standarde ndërkombëtare, do të marrë pak kohë”, tha Bogdani.
Një tjetër çështje e diskutuar ishte klima e brendshme në KLP, e cila shpesh është karakterizuar nga debate të forta dhe tone të ashpra.
Bogdani kërkoi ndjesë publike për këtë situatë, duke e konsideruar atë pjesë të natyrshme të një organi kolegjial, por paralajmëroi edhe masa nëse situata nuk përmirësohet.
“Masat për dialogun ndërinstitucional, kërkojmë ndjesë për tonet shpeshherë të ngritura të debatev, në institucionet kolegjiale lind natyrshëm një lloj konflikti, për to mos folur pastaj për qasjet. Ne kemi shpeshherë përballje të forta lidhur me të njëjtin koncept për mënyrën si duhet adresuar. Kemi marrë masa dhe besoj që nëse nuk arrijmë të kemi dakordësi ose zgjidhje të përshtatshme, do të miratojmë rregulla etike”, tha ajo.
Digjitalizimi, një tjetër pikë kritike
Në fund të seancës u diskutua edhe procesi i digjitalizimit, i cili sipas Xhafajt po ndikon negativisht në vlerësimin e punës së institucionit.
Kryetarja e KLP-së sqaroi se ky proces është në kompetencë të Prokurorit të Përgjithshëm dhe pritet të përfundojë brenda një viti.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



