Strasburgu rrëzon vendimin e Vettingut për Gentian Osmanin
Shkarkimi i ish-prokurorit ishte i pajustifikuar dhe cenoi jetën private
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg ka konstatuar shkelje në procesin e rivlerësimit kalimtar ndaj ish-prokurorit të Krimeve të Rënda, Gentian Osmani, duke i dhënë të drejtë këtij të fundit në përballjen ligjore me institucionet shqiptare të Vettingut.
Sipas vendimit të bërë publik, trupa gjykuese ka vlerësuar se shkarkimi i Osmanit nga detyra ka cenuar nenin 8 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, i cili garanton të drejtën për respektimin e jetës private dhe familjare. Gjykata arriti në përfundimin se ndërhyrja e autoriteteve nuk ishte në përpjesëtim me natyrën e problematikave të konstatuara gjatë procesit të verifikimit.
Në analizën e saj, GJEDNJ thekson se çështja ndaj Osmanit lidhej ekskluzivisht me mënyrën e deklarimit të disa kursimeve familjare në vitet 2011 dhe 2013. Nuk janë evidentuar pasuri të pajustifikuara apo burime të paligjshme të ardhurash, çka sipas gjykatës e bën masën e shkarkimit të tepruar dhe jo proporcionale.
Gentian Osmani u largua nga sistemi i drejtësisë në vitin 2019, pas një vendimi të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i cili pranoi ankimin e Komisionerit Publik dhe rrëzoi vendimin fillestar të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që e kishte konfirmuar në detyrë.
Në kohën e procesit të Vettingut, Osmani ushtronte funksionin e prokurorit në ish-Prokurorinë për Krime të Rënda dhe ishte gjithashtu kandidat për një pozicion në Këshillin e Lartë të Prokurorisë.
Ky vendim i Strasburgut pritet të rikthejë në vëmendje debatin mbi standardet e ndjekura gjatë procesit të Vettingut në Shqipëri, veçanërisht sa i takon proporcionalitetit të masave ndëshkuese dhe respektimit të të drejtave themelore të subjekteve të rivlerësimit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



