Dumani: Rama është hetuar për firmën e bonusit për inceneratorin e Tiranës
Kreu i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Altin Dumani, gjatë raportimit të tij sot në Kuvend, iu përgjigj edhe pyetjeve të përfaqësuesve të opozitës, përfshirë ato që lidhen me kryeministrin Edi Rama dhe aferën e inceneratorëve.
Dumani deklaroi prerë se për SPAK nuk ka të paprekshëm, duke theksuar se hetimet zhvillohen mbi bazën e provave dhe jo të emrave apo funksioneve publike që mbajnë personat nën hetim. Ai shtoi se çdo procedim penal nis në drejtim të faktit penal dhe më pas në drejtim të autorëve të mundshëm.
“Për SPAK nuk ka të paprekshëm! Në çdo procedim penal hetohet fillimisht në drejtim të faktit penal dhe më tej në drejtim të autorëve të veprës penale. Siç e kam thënë edhe më parë, për prokurorët e posaçëm nuk kanë rëndësi emrat, por vetëm provat,” – deklaroi Dumani.
Në lidhje me aferën e inceneratorit të Tiranës, kreu i SPAK konfirmoi se kryeministri Edi Rama është hetuar për firmën e dhënë në bonusin e këtij projekti, një element që ka qenë pjesë e verifikimeve të prokurorisë. Megjithatë, Dumani theksoi se hetimet paraprake vijojnë ende dhe nuk janë mbyllur.
Deklarata e tij u pa si një sinjal i qartë se SPAK nuk do të ndalet para askujt, duke lënë të kuptohet se hetimet për inceneratorët dhe çështje të tjera të ndjeshme do të shkojnë deri në fund, pavarësisht pozitës apo pushtetit të personave të përfshirë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



