E enjtja “prova e zjarrit” për PS-në, pse nuk po i dalin llogaritë Ramës?
Seanca plenare e së enjtes pritet të shndërrohet në një prej përballjeve më të forta politike në Kuvend, teksa deputetët do të votojnë projektligjin e Partisë Socialiste për reformën e re territoriale.
Edhe pse mazhoranca disponon në parim një shumicë të konsiderueshme, mbështetja për ndryshimet e propozuara në hartën administrative nuk duket më aq e sigurt. Qëndrimet kundërshtuese të disa deputetëve socialistë kanë hapur pikëpyetje serioze mbi numrin e votave që qeveria mund të sigurojë në momentin e votimit.
Një prej zërave që ka konfirmuar publikisht kundërshtimin është deputetja Marjana Koçeku, e cila tashmë ushtron mandatin si e pavarur pas shkëputjes nga grupi parlamentar i PS-së.
Koçeku ka deklaruar se do ta kundërshtojë projektligjin dhe se vota e saj do të jetë kundër, pavarësisht presioneve apo qëndrimeve që mund të përcillen nga mazhoranca. Ajo ka lënë të kuptohet gjithashtu se nuk përjashtohet mundësia që edhe deputetë të tjerë të PS-së të mos ndjekin qëndrimin zyrtar të grupit parlamentar.
Sa vota i duhen mazhorancës?
Në skenarin fillestar, Partia Socialiste llogarit 83 mandate, ndërsa mbështetja e tre deputetëve të PSD-së do ta çonte potencialisht numrin në 86 vota.
Por kjo llogari mund të ndryshojë ndjeshëm për shkak të mungesave dhe qëndrimeve kundër brenda mazhorancës.
Me votën e deklaruar kundër të Marjana Koçekut, numri i votave të pritshme për projektligjin zbret në 85. Nëse Belinda Balluku nuk merr pjesë në seancë, bilanci shkon në 84 vota.
Situata bëhet edhe më e ndërlikuar pas qëndrimit të deputetëve Erion Braçe dhe Vullnet Sinaj. Të dy kanë shfaqur kundërshtime gjatë diskutimeve në mbledhjen e grupit parlamentar socialist dhe kanë sinjalizuar se nuk janë të gatshëm të mbështesin reformën territoriale në formën e propozuar.
Nëse edhe Braçe dhe Sinaj mungojnë në votim ose votojnë kundër, mazhoranca do të mbetet me një bilanc edhe më të dobët votash pro.
Në këtë situatë, vëmendja është edhe te Elisa Spiropali, qëndrimi i së cilës vijon të shihet si një prej pikave të pasqaruara përpara votimit.
E enjtja, prova e radhës për mazhorancën
Përballë kësaj panorame, reforma territoriale nuk është më thjesht një çështje e numrave të deklaruar nga mazhoranca, por një test i rëndësishëm për disiplinën e grupit parlamentar socialist.
Çdo mungesë apo votë kundër mund të ndikojë drejtpërdrejt në rezultatin e votimit dhe ta bëjë më të vështirë miratimin e hartës së re administrative.
Seanca e së enjtes pritet të tregojë nëse Partia Socialiste do të arrijë të mbajë të unifikuar grupin e saj parlamentar apo nëse kundërshtimet e brendshme do të kthehen në një problem konkret për Edi Ramën në Kuvend.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



