E pandehura Balluku ‘viktimizohet’ në Kuvend: S’do dëgjoni sharje nga unë
Zëvendës-kryeministrja Belinda Balluku foli në foltoren e Kuvendit për herë të parë pas marrjes së saj nën hetim nga SPAK, duke iu përgjigjur akuzave që rëndojnë ndaj saj dhe duke komentuar edhe fletëthirrjen e kryetarit të PD-së, Sali Berisha, për çështjen e 21 Janarit.
Balluku akuzoi opozitën për dy standarde në reagimet e saj ndaj drejtësisë, duke theksuar se ka një trajtim të ndryshëm kur hetimet përfshijnë mazhorancën dhe kur prekin opozitën.
“Ju të nderuar opozitarë që ndiqni nga kafja e parlamentit keni dy standarde ndaj reformës në drejtësi dhe SPAK. Kur SPAK thërret Saliun dhe lozni kukafshehti me zarfin, i cili është zarfi që pret 15 vite populli shqiptar për drejtësi, për një vrasje shtetërore në 21 janar, atëherë SPAK ndikohet nga Edi Rama. Kur SPAK thërret Sali Berishën dhe e mban me arrest shtëpie për ditë e muaj dhe më pas kur sot është i pandehur në GJKKO për korrupsion atëherë Edi Rama e ndikon SPAK, por kur sipas jush merret me mazhorancën, ju bëheni martirët e drejtësisë, britmat dhe klithma e saj,” tha ajo.
Balluku e cilësoi si “gënjeshtra dhe baltë” akuzat që SPAK ka ngritur ndaj saj dhe theksoi se nuk do të komentojë hetimet e drejtësisë, ndërsa vlerësoi punën e saj.
“Duhet të them disa fjalë jo për të kompensuar gënjeshtrat, por për detyrimin ndaj qytetarëve dhe ata që besojnë tek puna dhe jo tek balta. Nuk do të dëgjoni kurrë sharje dhe kërcënime për drejtësinë e re dhe kur preken personalisht.
Besoj që kjo drejtësi është duke kryer misionin për të cilin u reformua, me pakt be saj të dobëta dhe të forta, por si diçka e re konsolidohen dita-ditës. Nuk do të më dëgjoni kurrë të flas për prokurorë apo për çështje nën hetim, të cilën do ta ndjek në diskrecion të plotë deri sa drejtësia të marrë formë të prerë,” shtoi më tej ajo.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



