Edi Rama bën “pis” veten dhe “lan” Belinda Ballukun
“Ma ka dorëzuar tre herë dorëheqjen, ja kam refuzuar”
Kryeministri Edi Rama mori përsipër publikisht barrën politike të vendimit për të mos pranuar dorëheqjen e Belinda Balluku, duke deklaruar se ka refuzuar tre herë largimin e saj nga detyra, pavarësisht presionit dhe situatës së krijuar nga procesi gjyqësor.
Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PS, Rama theksoi se nisma ligjore e socialistëve nuk ka lidhje me rastin konkret të Ballukut, por synon të adresojë, sipas tij, një “boshllëk mendor” në interpretimin e ndarjes së pushteteve dhe rolit të institucioneve.
Kreu i qeverisë zbuloi se zv/kryeministrja i ka paraqitur dorëheqjen në tre momente të ndryshme: kur iu ngrit akuza, pas pezullimit të parë nga detyra dhe pas vendimit të fundit gjyqësor. Megjithatë, Rama tha se ka qenë ai që i ka refuzuar të gjitha dorëheqjet, duke marrë mbi vete përgjegjësinë politike për këtë vendim.
Sipas tij, një dorëheqje e diktuar nga presioni i institucioneve të drejtësisë do të krijonte precedent të rrezikshëm për ndërhyrje në pushtetin ekzekutiv. Rama argumentoi se largimi nga detyra nuk mund të diktohet nga prokurorë, gjyqtarë të seancave paraprake apo presioni publik dhe mediatik.
Ai shtoi se vendimi për një dorëheqje eventuale duhet të bazohet vetëm në standarde kushtetuese dhe institucionale, duke theksuar se nuk e pranon dorëheqjen e Ballukut deri në momentin që, sipas tij, plotësohen kushtet e duhura.
Deklaratat e Ramës kanë ndezur debate të forta politike dhe juridike mbi raportin mes qeverisë dhe sistemit të drejtësisë, si dhe mbi përgjegjësinë politike në rastet kur zyrtarë të lartë përballen me akuza dhe procese hetimore.
“Sa i përket rastit konkret, ky është një tjetër proces. Belinda Balluku ma ka dorëzuar tre herë dorëheqjen. I kam atje në dosje. Tre herë. Një herë kur iu ngrit akuza. Një herë kur iu bë pezullimi i parë dhe herën e tretë kur Gjykata nuk mori vendim. Kam qenë unë që ia kam refuzuar dorëheqjen. Sepse dorëheqje nën presionin e një fuqie që ka dalë nga territori i vetë dhe është futur në territorin e pushtetit ekzekutiv nuk ka. I jam falënderues për faktin që nuk ka persistuar, por ka vazhduar të marrë gjithë atë baltë në fytyrë, sepse unë nuk e pranoj dorëheqjen deri sa të plotësohen kushtet. Dhe kur plotësohen kushtet nuk e përcakton dot as prokurori, as gjykatësi i seancës paraprake, as media dhe as gjyqi popullor”, tha Rama.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



