Edi Rama ka humbur qetësinë!
Pas më shumë se një muaji protestash, Edi Rama duket se e ka humbur qetësinë. Me aktin e djeshëm të policisë me protestuesit, ai nuk u soll si një kryeministër që kontrollon situatën, por si një pushtetar që ka filluar të trembet prej saj. Dhe kur një pushtet fillon të ketë frikë nga qytetarët, gabimet e tij bëhen shumë më të rrezikshme se vetë protesta.
Pavarësisht se si interpretohet aksioni para Parlamentit, ai ishte një aksion dhe një provokim i shkëlqyeshëm politik, jo një akt dhune. Koshi i plehrave të tranzicionit i vendosur për deputetët, jo vetëm nuk ishte sulm ndaj institucioneve, por ai ishte gjykimi politik i një pjese të shoqërisë ndaj një klase politike që, sipas tyre, nuk i përfaqëson më dhe në demokraci mesazhe të tilla kundërshtohen gjithmonë me politikë, jo me pranga.
Por në vend të një përgjigje politike pushteti zgjodhi rrugën më të keqe.
Arrestoi me dhunë ish-luftëtarin e UÇK-së, Dritan Goxhaj, dhe protestues të tjerë, kjo me shpresë se frika do ta shpërndante turmën, por ndodhi e kundërta. Brenda pak minutash qytetarët u derdhën drejt komisariateve dhe e detyruan qeverinë të tërhiqej, kështu të arrestuarit u liruan menjēherë.
Ky ishte momenti kur protesta fitoi testin e saj të parë të madh. Ajo tregoi se nuk është më thjesht një grumbullim njerëzish, por një komunitet që reagon menjëherë kur pushteti prek një prej të vetëve.
Ndërsa qeveria humbi testin e saj.
Ajo tregoi nervozizëm, mungesë vetëkontrolli dhe, mbi të gjitha, pasiguri. Një pushtet i sigurt nuk sillet kështu. Një pushtet i sigurt nuk e sheh çdo qytetar si armik dhe çdo protestë si rrezik ekzistencial. Këto janë shenjat e një pushteti që ka filluar të lodhet nga presioni dhe pesha e tij.
Vetëm se historia politike ka qenë gjithmonë e pamëshirshme me qeveritë që ngatërrojnë forcën me autoritetin. Forca mund të arrestojë njerëz, por nuk arreston dot zemërimin, nuk arreston dot humbjen e besimit, nuk arreston dot një shoqëri që ka vendosur të ngrihet në këmbë dhe të mos ketë më frikë.
Episode të tilla janë momente shumë të rrezikshme.
Sepse një qeveri ekziston për të garantuar stabilitetin dhe në momentin që veprimet e saj krijojnë tension, përshkallëzim dhe rrezik për përplasje civile, ajo jo vetëm nuk është më garancia e rendit, por ajo është kthyer në problemin kryesor te tij.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



