E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Efektet socio-psikologjike të tërmetit në punë dhe shoqëri
Publik News

Efektet socio-psikologjike të tërmetit në punë dhe shoqëri

Pavarësisht nëse kanë pësuar humbje direkte ose jo, katastrofa mund të shkaktojë stres post-traumatik për njerëzit që kanë përjetuar trauma të tilla, përfshirë rënien e produktivitetit në punë, edhe te njerëzit që nuk kanë pasur dëme në asete nga tërmeti.

Ekspertët e psikologjisë bëjnë thirrje për një trajtim të kujdesshëm të situatës pas tërmetit, në kërkimin e ndihmës për ata që kanë nevojë dhe sidomos në rritjen e vëmendjes ndaj fëmijëve apo shtresave të tjera që konsiderohen vulnerabël në raste fatkeqësish, për shkak të paaftësisë për të reaguar shpejt ndaj situatës.

 

Kujdes zemrën!

Eristen Kuka, mjek kardiolog në Qendrën Shëndetësore nr. 9 në Tiranë, thotë se, studime të shumta vërtetojnë se stresi, sidomos pas një traume të përjetuar, ndikon negativisht në çrregullime të rrahjeve të zemrës dhe si rrjedhojë, në sëmundje fatale.

“Përgjigjet emergjente të sistemit kardiovaskular përfshijnë efekte të menjëhershme dhe përgjigje të vonuara. Reagimi i menjëhershëm kardiovaskular ka më shumë të ngjarë të rezultojë në vdekje nga sëmundjet kardiovaskulare, ndërsa përgjigjja e vonuar çon në përkeqësim të faktorëve të rrezikut të sëmundjes kardiovaskulare, si rritje në rrahjet e zemrës në pushim, trigliceridet në gjak dhe nivelet totale të kolesterolit”- thotë Dr. Kuka.

Sipas tij, studimet e mëparshme tregojnë rritje të konsiderueshme në incidencën e sëmundjeve kardiovaskulare, gjatë muajve kur kanë ndodhur fatkeqësi natyrore, përfshirë goditjet, infarktin e miokardit, disektimin e aortës etj., dhe këto sëmundje rriten 1.5 deri në 3 herë pas tërmetit.

“Sidoqoftë, ka pak të dhëna për lidhjen midis stresit të shkaktuar nga fatkeqësia natyrore dhe faktorëve të rrezikut të sëmundjeve kardiovaskulare, Madje, edhe më pak në lidhjen midis përvojës së tërmetit në vitet e para të jetës dhe faktorët e rrezikut të sëmundjeve kardiovaskulare. Sidomos në Shqipëri nuk ka studime të mirëfillta por ne u referohemi atyre të huaja si dhe përvojës” – thotë mjeku kardiolog.

 

Nuk duhet lënë pas dore, në mënyrë absolute nevoja për ndihmë psikologjike pas fatkeqësisë natyrore që shqiptarët përjetuan. “Ankthi dhe frika nga një pasiguri për ditët në vazhdim do të jenë të pranishme tek njerëzit e prekur, aq më shumë kur kujtimet e tyre janë të lidhura ngushtë me vendin ku ndodhi trauma. Një nga elementet bazike është nevoja për siguri, e cila do të lërë gjurmë te njerëzit që e përjetuan thellë këtë traumë” – thotë specialistja.

Ajo sjell në vëmendje edhe një tjetër fakt, atë të përballjes me objekte të dëmtuara. Pamjet do të rikthejnë menjëherë kujtimin e hidhur të asaj nate plot makthe. “Pamundësia për t’u bërë ballë fatkeqësive natyrore kërkon një trajtim afatgjatë me mënyrat se si mund të mësohemi me këto fenomene, por edhe si të ruhemi prej tyre, që të kemi mundësi të ulim nivelin e ankthit dhe stresit” – shton specialistja.

Intervista/

“Vëmendje të veçantë shëndetit psikologjik pas traumës”

Prof. Asoc. Dr. Arjana Muçaj, anëtare e Këshillit të Psikologëve

Çfarë ndikimi social ka situata post-tërmet? Cilat janë pasojat negative të shfaqura nga traumat në shoqëri (në terma afatgjatë)?

Situata post-tërmet ka një përjetim emocional tek të gjitha grupmoshat pa përjashtim. Ndikimi social lidhet ngushtë dhe me mënyrën e organizimit të jetës sociale – ekonomike tek të prekurit nga ky fenomen. Shumica prej tyre kanë humbur dhe ato pak kursime dhe sende materiale që për secilin prej tyre ishte pasuria e vetme që kanë pasur.

Kjo tragjedi ndikon dhe në masën tjetër të shoqërisë, edhe pse solidarizimi është shprehje e vullnetit për të qenë sa më pranë nevojave të tyre, nevoja këto që në të ardhmen do të jenë më të vështira për t’u përmbushur nga organet shtetërore kompetente.

Ankthi dhe frika nga një pasiguri për ditët në vazhdim do të jenë të pranishme te njerëzit e prekur, aq më shumë kur kujtimet e tyre janë të lidhura ngushtë me vendin ku trauma ndodhi.

Një nga elementet bazike është nevoja për siguri, e cila do të lërë gjurmë te njerëzit që e përjetuan thellë këtë traumë. Përballja me objekte të dëmtuara do të rikthejë menjëherë kujtimin e hidhur të asaj nate plot makthe. Pamundësia për t’u bërë ballë fatkeqësive natyrore kërkon një trajtim afatgjatë me mënyrat se si mund të mësohemi me këto fenomene, por edhe si të ruhemi prej tyre që të kemi mundësi të ulim nivelin e ankthit dhe stresit.

Çfarë dëmi në jetën sociale dhe ekonomike mendohet se do të ketë më pas?

Kur flasim për dëme social-ekonomike, sidomos për një vend si yni, duhet të kuptojmë se kategorive vulnerabël tashmë ju është shtuar dhe ajo e të prekurve nga tërmeti, ku pjesa më e madhe kërkon ndërhyrje të menjëhershme si në strehim, ndihmë ekonomike, hospitalizim për njerëzit me aftësi të kufizuara dhe këto kanë një kosto të lartë financiare për cilëndo qeveri.

Si të sillemi me fëmijët që t’u rikthehen jetës normale? Po me të moshuarit apo shtresat vulnerabël?

Kategoria më e prekur janë fëmijët dhe ata duan një vëmendje të veçantë që trauma që la pas tërmeti të lehtësohet gradualisht. Kujdesi dhe prania e prindërve, janë parësore, prania e profesionistëve dhe pranimi i bashkëpunimit me ta është këshilla kryesore. Zënia me aktivitete argëtuese, ku emocioni pozitiv e mbyt emocionin e frikës, bën që kujtesa e fëmijës të mbetet në sirtarët e harruar të mendjes njerëzore.

Por edhe angazhimi për t’i mësuar emocionalisht se si të sillen në raste të tilla nga profesionistet, siç mund të kemi parë fëmijët në Japoni, por kjo duhet mësuar fillimisht nga të rriturit, të cilët kanë qenë të papërgatitur emocionalisht. Jo vetëm ky grup, por edhe të moshuarit janë ata që kanë nevojë për përkujdesje e aq më shumë për mbështetje emocionale. Pavarësisht moshës, gjendja emocionale mund të shkaktojë tek ata fatalitet. Prandaj e theksova që cilado qeveri qoftë, kërkon një mirorganizim të jetës sociale dhe asaj në aspektin ekonomik të shoqërisë së prekur nga kjo traumë.

Pasojat ekonomike te familjet e prekura janë të mëdha (kanë humbur asetet në prona). Çfarë këshilloni për të prekurit gjatë kohës së pritjes së tyre për rikuperim?

Qetësia duhet të jetë pjesë e pritjes dhe zënia me rutinën e përditshme që këta njerëz kanë pasur para se të ndodhte fenomeni. Jo vetëm aq, por edhe të jenë bashkëpunues me institucionet për të kontribuar në rindërtimin e jetës së tyre. Njerëzit e afërt duhet t’u gjenden pranë për t’i bërë të ndiejnë ngrohtësinë dhe jo keqardhjen e tyre.

A Duhet bërë kujdes me substancat qetësuese? Raportohet se po merren në masë…

Farmacistët nuk duhet në asnjë mënyrë të lëshojnë medikamente pa fletën shoqëruese të mjekut specialist, sepse përdorimi i tyre për të menaxhuar ankthin do t’u sjellë probleme serioze me shëndetin. Një këshillë, bisedat për fenomenin e tërmetit dhe pamjet tronditëse të jenë sa më pak të pranishme tek grupet e fëmijëve dhe të moshuarit, Kjo do ta bëjë më eficente ndihmën te këto grupe për mosrikthimin e ëndrrave shqetësuese të cilat kthejnë kujtesën e ngjarjes dramatike të përjetuar.

 

Ndikimi ekonomik i një tërmeti ose ndonjë fatkeqësie natyrore mund të klasifikohet si: (i) humbjet e pasurive të paluajtshme, (ii) humbjet e pasurive të luajtshme (iii) humbjet ekonomike për shkak të ndërprerjes së biznesit, (iv) kostot ekonomike të sektorit publik, dhe (v) humbjet e të ardhurave shtëpiake për shkak të vdekjes, dëmtimit dhe ndërprerjes së vendit të punës së një anëtari të familjes.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.