E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Ekskluzive! Call Center-i që u godit dje ishte i vëllezërve Malaj
Lajme

Ekskluzive! Call Center-i që u godit dje ishte i vëllezërve Malaj

Zbardhet operacioni “End Point” dhe “bosët” e fshehtë të Forex

Një operacion i gjerë kundër krimit kibernetik ka çuar në goditjen e një rrjeti të organizuar mashtrimi në kryeqytet. Si rezultat i aksionit të koduar “End Point”, autoritetet kanë arrestuar 7 persona dhe kanë nisur procedim penal ndaj 27 të tjerëve, të dyshuar për përfshirje në aktivitete të paligjshme përmes strukturave të tipit Call Center.

Gjatë kontrolleve të zhvilluara në disa ambiente të përshtatura për këtë aktivitet, janë sekuestruar dhjetëra pajisje elektronike, përfshirë 70 kompjuterë dhe 49 telefona celularë, si dhe një shumë parash në euro (rreth 68 mijë euro), e dyshuar si e përfituar nga aktiviteti kriminal.

Bashkë me to, u gjetën dhe sekuestruan lista me emrat dhe numrat e telefonave të shtetasve të huaj që ranë në grackën e tyre.

Sipas hetimeve paraprake, personat e përfshirë dyshohet se operonin në mënyrë të organizuar, duke përdorur teknologjinë për të realizuar mashtrime ndaj qytetarëve të ndryshëm të Bashkimit Evropian, kryesisht përmes thirrjeve telefonike. Aktiviteti i tyre lidhet me disa vepra penale, përfshirë mashtrimin kompjuterik, punësimin e paligjshëm dhe fshehjen e të ardhurave.

Në mesin e të arrestuarve ka shtetas shqiptarë dhe të huaj, ndërsa personat e tjerë nën hetim përfshijnë edhe individë nga vende të ndryshme, të gjithë rezidentë në Tiranë. Operacioni u zhvillua nga strukturat e specializuara për hetimin e krimit kibernetik dhe ekonomik, në bashkëpunim me Policinë e Tiranës dhe nën drejtimin e prokurorisë përkatëse.

Arrestimet dhe lidhja me vëllezërit Malaj

Nga detajet ekskluzive të siguruara, mes 7 të arrestuarve bëjnë pjesë edhe dy administratorët kryesorë: Bjorn Kareco dhe Marjo Kolli (ndërsa dy individë të tjerë nga kupola drejtuese ishin shpallur në kërkim paraprakisht).

Zyra që u godit nga Prokuroria e Tiranës rezulton të jetë në pronësi të vëllezërve Flladi dhe Xhuljo Malaj (nipat e Arben Malajt).

Administratori i arrestuar, Bjorn Kareco, figuron pikërisht si menaxher i drejtpërdrejtë i vëllezërve Malaj, duke shërbyer si truri operativ i kësaj skeme mashtrimi për investimet në bursa.

Flladi Malaj konsiderohet si një nga kokat e mashtrimit me Forex, duke operuar kryesisht në zonën e Kristal Center, Komunës së Parisit dhe Selitës. Aty ai kontrollon një rrjet të gjerë (si 27 të proceduarit e fundit) që mashtrojnë qytetarët evropianë, duke përvetësuar miliona euro.

Për të kamufluar këtë aktivitet, vëllezërit Malaj kanë krijuar ndër vite një perandori kompanish fiktive:

26 Tetor 2017: Ngritja e një biznesi (agjenci udhëtimesh dhe lokal) në zonën e Komunës së Parisit me para të dyshimta.
14 Maj 2019: Krijimi i firmës “Albreeze” (100% pronësi e Flladi Malaj) me aktivitet Call-Center në Selitë dhe në Ujin e Ftohtë, Vlorë.

8 Gusht 2019: Themelimi i “ACME Studio Sh.p.k” në Komunën e Parisit dhe Selitë.

30 Shtator 2019: Krijimi i “Casa Mokador” (ndryshuar më pas në Eden Breeze, Momentum Group) me adresa të shumëfishta në Tiranë.

23 Tetor 2019 & 18 Mars 2020: Themelimi i “Info Tirana Sh.p.k” dhe “Dekript Media Group” (në Pallatin Casa Mokador).

15 Qershor 2020: Hapet “Akademia Profesionale M&G” e cila shërbente faktikisht si Call-Center tek Rruga e Zallit.

26 Janar 2021: Blerja e 20% të ish-Fabrikës së Shkrirjes së Bakrit në Kukës përmes kompanisë MEB 2018.

Bosi në hije: Florian Sula dhe pastrimi i parave në bregdet

Paralelisht me këtë grup, një tjetër emër i rëndësishëm që del në pah në skemat e mashtrimit (Forex, BrokerZ, Globalix, Bitcoin) është lushnjari Florian Sula. I konsideruar si një nga pasardhësit e Amant Josifit, emri i tij figuron përciptazi në letrat e policisë, por ai mbetet një nga bosët më misteriozë të këtij rrjeti.

Edhe pse nuk figuron me historik biznesi të ligjshëm, burime policore që po monitorojnë Sulën me kërkesë të agjencive të huaja ligjzbatuese, zbulojnë se ai ka ricikluar qindra mijëra euro nga paratë e zhvatura:

Blerje pronash: Nga Tirana deri në bregdet, nga Borshi në Himarë.

Skema: Pronat blihen përmes njerëzve të afërt dhe të besuar, me synim zhvillimin e tyre në hotele e vila luksoze.
Aktiviteti: Ndryshe nga bosë të tjerë që kanë kaluar vetëm në ndërtim, Sula vijon të jetë aktiv në skemat e mashtrimit të rremë në bursa.
Autoritetet bëjnë me dije se hetimet vijojnë për të dokumentuar plotësisht këtë aktivitet kriminal dhe për të sekuestruar asetet e përftuara nga këto rrjete të mirëorganizuara që cenojnë rëndë ekonominë dhe sigurinë publike.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.