EKSKLUZIVE | Zbardhet pika e dytë e Call Center-it që u godit dje
Elidion Kasaj është bosi i mashtrimit, drejtonte skemën përmes menaxherit “Doraci”
Operacioni i koduar “End Point” ka çuar në arrestimin e 7 personave, të dyshuar për përfshirje në një rrjet të organizuar mashtrimi kompjuterik që operonte përmes call center-ave në Tiranë.
Sipas të dhënave, në pranga kanë rënë shtetas shqiptarë dhe të huaj, konkretisht nga Paraguai dhe Angola. Mes emrave të identifikuar si pjesë e këtij operacioni janë: Zizo Azizi, i njohur ndryshe me pseudonimin “Doraci”, Bjorn Kareco, Luis Masi, Jose Canda dhe Simao Samuel.
Një nga figurat kryesore që del në pah është Zizo Azizi, i njohur si “Doraci”. Sipas informacioneve të siguruara, ai kishte rol menaxherial në një nga pikat ku zhvillohej aktiviteti i call center-it. “Doraci” dyshohet se ishte përgjegjës për organizimin e punës dhe koordinimin e operatorëve që realizonin mashtrimet përmes thirrjeve telefonike.
Nga ana tjetër, burimet tregojnë se ambienti ku zhvillohej aktiviteti lidhet me shtetasin Elidion Kasaj, i cili dyshohet si pronar i pikës, ndërsa Azizi ushtronte funksionin e menaxherit operativ.
Të arrestuarit akuzohen për një sërë veprash penale, përfshirë “Mashtrimin kompjuterik”, “Punësimin e paligjshëm” dhe “Fshehjen e të ardhurave”. Sipas hetimeve paraprake, ata vepronin në mënyrë të organizuar, duke synuar qytetarë të huaj përmes skemave mashtruese të investimeve dhe komunikimeve telefonike.
Autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rolin e secilit prej të arrestuarve dhe për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë në këtë rrjet.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



