Ekspertiza e “Land Rover”-it të Ergys Agasit përfundoi në “Signal”
Kush ia dërgoi aktin e ekspertimit të kriminalistikës?
Një akt-ekspertimi i kryer nga Policia Shkencore për llogari të SPAK-ut mbi automjetin “Land Rover Defender” të sekuestruar te biznesmeni Ergys Agasi, dyshohet se ka përfunduar në aplikacionin “Signal” të tij gjatë muajit gusht 2026.
Gazetari Elton Qyno raporton se bëhet fjalë për një automjet luksoz, “Land Rover Defender” me ngjyrë të zezë, i cili u sekuestrua më 22 korrik 2026 nga BKH-ja në garazhin e vilës së Ergys Agasit, pranë kompleksit “Equos Resort”.
Sipas raportimit të Qynos, automjeti ishte urdhëruar t’i nënshtrohej një ekspertimi daktiloskopik, me qëllim sigurimin e gjurmëve të gishtërinjve, fijeve të flokëve dhe elementeve të tjera që mund të shërbenin për hetimin.
Një pjesë e ekspertizës kishte të bënte edhe me krahasimin e automjetit me pamjet e një “Land Rover Defender” që dyshohet se është përdorur në rrëmbimin, në mes të ditës, të biznesmenit të kompanisë ABS, Gerond Meçe.
Policia Shkencore ka kryer veprimet e kërkuara dhe, pas përfundimit të ekspertimit, ka hartuar konkluzionet përfundimtare, të cilat më pas i janë përcjellë Prokurorisë së Posaçme.
Tre faqe të ekspertizës në “Signal”
Sipas gazetarit Elton Qyno, disa ditë pas përfundimit të ekspertizës, gjatë muajit gusht, tre faqe të aktit të Policisë Shkencore janë dërguar në numrin e Ergys Agasit përmes aplikacionit “Signal”.
Raportimi ngre dyshime se dokumenti është përcjellë nga Fatjon Kalluçi, punonjës i Policisë Shkencore.
Në këtë kohë, Agasi ishte ende i lirë. Ai u arrestua më 26 gusht 2026 në qytetin e Durrësit, ndërsa gjatë arrestimit autoritetet sekuestruan edhe telefonin që përdorte.
Sipas Qynos, pikërisht në këtë pajisje, përmes komunikimeve në aplikacionin “Signal”, SPAK ka evidentuar se Agasi ishte vënë në dijeni të përfundimeve të ekspertizës së kërkuar nga Prokuroria e Posaçme.
Bëhet fjalë për një dokument që, sipas raportimit, ishte përgatitur nga Policia Shkencore dhe i ishte dorëzuar më parë SPAK-ut në kuadër të procedurave hetimore.
Hetimi vijon, mund të ketë akuza të tjera
Gazetari Elton Qyno raporton se hetimi është ende në vijim dhe se komunikimet e zbuluara në telefonin e Agasit po analizohen nga SPAK.
Sipas tij, në varësi të të dhënave dhe provave që mund të dalin gjatë hetimit, nuk përjashtohet mundësia që ndaj ish-drejtores së SHISH, Vlora Hyseni, dhe zyrtarëve të tjerë të ketë edhe shtim të akuzave.
Këto janë të dhëna të raportuara nga gazetari Elton Qyno dhe pjesë e një hetimi që vijon nga Prokuroria e Posaçme.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



