E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Ekzekutimi i 47-vjeçarit në Shkodër/ Autori i dyshuar ishte 4 vjeç kur i vranë babanë
Lajme

Ekzekutimi i 47-vjeçarit në Shkodër/ Autori i dyshuar ishte 4 vjeç kur i vranë babanë

Pa u mbushur 24 orë nga ekzekutimi i një 47-vjeçari në Shkodër, Policia lokale ka arrestuar autorin e dyshuar të ngjarjes që i mori jetën shtetasit Prek Tonaj.

Krimi i rëndë u regjistrua në fshatin Grudë të Njësisë Administrative Rrethina. Në pranga ka rënë shtetasi Eduart Kësolla, 30 vjeç, lindur në Nicaj, Shosh dhe banues në fshatin Grudë e Re, i cili ishte vetëm 4 vjeç kur iu vra babai rreth 26 vite më parë.

Në njoftimin e Policisë thuhet se strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, “në vijim të veprimeve të kryera për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur në ambientet e një lokali, ku mbeti i vrarë me armë zjarri 47-vjeçari Prekë Tonaj, kanë bërë të mundur identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar.

Bazuar në provat e grumbulluara dhe informacionet e siguruara në rrugë operative, është bërë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit Eduart Kësolla, 30 vjeç, lindur në Nicaj, Shosh dhe banues në fshatin Grudë e Re”.

Arrestimi i tij u bë për veprën penale “Vrasja për gjakmarrje”, pasi nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera dyshohet si autor i vrasjes së 47-vjeçarit Prekë Tonaj, për motive gjakmarrjeje.

Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, strukturat hetimore të DVP Shkodër vijojnë punën për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje.

NGJARJA

Shtetasi Prek Tonaj u qëllua me automatik duke mbetur i vdekur në vend. Ndaj tij janë qëlluar të paktën 5 plumba, duke i shkak tuar vdekjen e menjëhershme.

Zyrtari i Ujësjellësit ndodhej në një lokal në fshatin Grudë të Njësisë Rrethina në Shkodër, kur papritur, rreth orës 19:15, një person i maskuar është futur brenda në lokal dhe ka qëlluar në drejtim të 47-vjeçarit. Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta të Policisë duke nisur hetimet paraprake.

Sipas burimeve, dyshohet se vrasja e 47-vjeçarit, i cili punonte në ndërmarrjen e Ujësjellës-Kanalizime në Shkodër, ka ardhur për shkak të gjakmarrjes. Menjëherë pas vrasjes, të dyshuarit kryesorë nga Policia ishin familja Kësolla nga Dukagjini, por nuk u përjashtua edhe ndonjë pistë tjetër, sepse familja Tonaj ka pasur dy gjaqe.

Autori kur është futur në lokal mësohet se u ka thënë personave të tjerë, me të cilët po qëndronte viktima “mos lëvizni se ju vrava” dhe iu ka kërkuar atyre që të spostohen.

Më pas Prek Tonajt i është drejtuar me fjalët: “A e di se na ke borxh” dhe ka qëlluar ndaj tij duke i marrë jetën.

Pasi qëlloi për vdekje shënjestrën, autori i maskuar u largua nga vendi i ngjarjes, për t’u arrestuar nga Policia gjatë ditës së djeshme.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.