Emrat/ Atentati në Lezhë, shpallen në kërkim 3 anëtarë të fisit Ndoka
Policia e Lezhës ka shpallur në kërkim katër persona si të dyshuar për atentatin me armë zjarri të ndodhur mbrëmjen e 1 shkurtit 2026 në fshatin Rrilë, pjesë e Njësisë Administrative Shënkoll. Nga sulmi mbeti i plagosur rëndë pronari i një berberhaneje, 30-vjeçari Sokol Daci.
Sipas burimeve zyrtare, në kërkim janë shpallur tre persona nga fisi Ndoka: Gerardo Ndoka, Eliseo Ndoka dhe Kevin Ndoka. Personi i katërt i dyshuar është Merando Nikulaj, i cili ndodhej brenda ambientit të berberhanes në momentin e atentatit.
Autoritetet bëjnë me dije se hetimet janë ende në zhvillim dhe, për shkak të ndjeshmërisë së çështjes, nuk mund të publikohen detaje shtesë. Policia vijon operacionet për lokalizimin dhe arrestimin e personave të shpallur në kërkim.
Në njoftimin zyrtar thuhet se Grupi i Posaçëm Hetimor i Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, nën drejtimin e Prokurorisë, ka intensifikuar veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të ngjarjes, identifikimin e autorëve dhe dokumentimin ligjor të saj.
Në kuadër të këtyre veprimeve, është ekzekutuar edhe urdhri i ndalimit për një shtetas 24-vjeçar nga fshati Dragushë, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, i cili dyshohet se ka pasur rol ndihmës në këtë çështje.
Nga hetimet paraprake rezulton se shënjestër e atentatit ka qenë 21-vjeçari Merando Nikulaj. Megjithatë, plumbat nuk kanë arritur objektivin dhe kanë goditur pronarin e berberhanes, i cili u transportua me urgjencë në spital në gjendje të rëndë shëndetësore. Burime hetimore dyshojnë se një nga plumbat mund të ketë shkaktuar edhe një plagosje të lehtë ndaj vetë Nikulajt.
Një efektiv policie, i cili ndodhej rastësisht në ambient në momentin e ngjarjes, ka ndërhyrë menjëherë, duke parandaluar përshkallëzimin e situatës dhe një bilanc edhe më të rëndë.
Sipas policisë, pista kryesore e hetimit lidhet me motive hakmarrjeje, ndërsa pritet që veprimet e mëtejshme hetimore të hedhin më shumë dritë mbi rrethanat dhe autorët e atentatit.
“Në lidhje me ngjarjen e ndodhur më datë 01.02.2026, rreth orës 21:00, në fshatin Rrilë, Njësia Administrative Shënkoll, bashkia Lezhë, ku mbeti i plagosur me armë zjarri një shtetas, Grupi i Posaçëm Hetimor i DVP Lezhë, nën drejtimin e Prokurorisë, ka vijuar intensivisht hetimet me qëllim zbardhjen e ngjarjes, dokumentimin ligjor, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Në vijim të veprimeve u ekzekutua urdhri i ndalimit, i lëshuar nga Prokurori, për shtetasin B. K., 24 vjeç, banues në fshatin Dragushë, Njësia Administrative Dajç, Bashkia Lezhë, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Nga tërësia e veprimeve hetimore e procedurale, ka rezultuar se si të dyshuar në këtë ngjarje janë përfshirë shtetasit G. N., E. N., K. N. dhe M. N., të cilët janë shpallur në kërkim.
Grupi i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë Lezhë, vijon punën për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.
Për shkak të hetimeve, nuk jepen të dhëna të tjera”, njoftoi policia.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



