Endri Fuga u kthye për milionat eurot me Kanye West
Skandali me koncertin
4 milionë euro nga taksat tona për një kompani me llogari të bllokuara dhe pronarë “hije” pas Endri Fugës
TIRANË | PUBLIK.AL – Një akt i paprecedent i Këshillit të Ministrave ka ndezur dritat e kuqe mbi mënyrën se si po menaxhohen paratë e taksapaguesve shqiptarë. Përmes një procedure emergjente (Akt Normativ), qeveria ka ndryshuar buxhetin e shtetit duke pakësuar fondin rezervë dhe duke i akorduar plot 400 milionë lekë të reja (rreth 4 milionë euro) Ministrisë së Turizmit dhe Kulturës, me qëllim financimin e një pjese të organizimit të koncertit të reperit kontravers amerikan, Kanye West (Ye).
Kjo është hera e parë në historinë e financave publike që buxheti i shtetit preket me procedurë të jashtëzakonshme për të mbështetur një koncert privat, por skandali thellohet kur sheh se ku po shkojnë këto para dhe kush fshihet pas kompanisë kontraktore në terren.
Kompania “Redcloud” me llogari të bllokuara dhe 5 çështje përmbarimore
Sipas të dhënave zyrtare, kompania kontraktore që do të mbështesë në terren realizimin e këtij eventi në Tiranë është Redcloud. Një vështrim i thjeshtë në ekstraktet e Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB) dhe të dhënat financiare zbulon një situatë alarmante.
Më datë 30 tetor 2024, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve (Rajoni Qendror) i ka vendosur kësaj kompanie një masë të sigurimit të detyrimit tatimor për shkak të mosshlyerjes së borxheve. Shkresa e bllokimit dhe ndalimit të tjetërsimit të aksioneve vijon të jetë aktive në QKB. Si mundet që një qeveri t’i besojë 4 milionë euro një kompanie që ka bilanc me humbje, që nuk paguan dot as detyrimet bazë tatimore dhe që rëndohet nga 5 çështje aktive përmbarimore?
Klodian Makashi: “Prestanome” i Endri Fugës?
Burime pranë tregut mediatik dhe investigativ bëjnë me dije se emri i Klodian Makashit, i cili shfaqet në letrat e këtij biznesi të dështuar financiarisht, është thjesht një fasadë. Në rrethet e biznesit dhe të marketingut në Tiranë, Makashi njihet gjerësisht si një “prestanome” (person i vendosur sa për emër në letra) i Endri Fugës, ish-drejtorit të Komunikimit të Kryeministrit dhe njeriut që kontrollon prej vitesh propagandën dhe projektet e mëdha të imazhit të qeverisë.

Kjo skemë shpjegon arsyen se pse Këshilli i Ministrave u mblodh me urgjencë për të kaluar një Akt Normativ për një koncert: lidhjet e ngushta politike dhe përdorimi i emrave të dytë për të fshehur përfituesit e vërtetë të miliona eurove nga fondi rezervë i shtetit.
Shteti shqiptar me “gisht në gojë”: Asnjë qindarkë nga biletat
Sikur të mos mjaftonte financimi i drejtpërdrejtë prej 4 milionë eurosh, emisioni investigativ “Piranjat” ka zbuluar se shteti shqiptar nuk do të përfitojë asgjë nga shitja e biletave të këtij koncerti.
Biletat po shiten online përmes platformës ndërkombëtare Viagogo (me bazë jashtë vendit), ndërsa organizatorja e deklaruar nga Ministria e Turizmit është kompania gjermane Streetlife International. Për shkak të kësaj strukture, kompanitë operojnë jashtë vendit dhe shteti shqiptar nuk përfiton as tarifën mbi vlerën e shtuar (TVSH) prej 20% që faturohet zakonisht kur biletat shiten nga firma vendase, dhe as nuk mund të pretendojë asnjë lloj tatim-fitimi.
Përveç dëmit financiar, ftesa për Kanye West mbart edhe një kosto të lartë morale e politike, duke qenë se rreperi është bojkotuar në shumë shtete perëndimore për shkak të deklaratave të tij antisemite dhe shfaqjes së hapur në mbështetje të nazi-fashizmit. Megjithatë, për qeverinë shqiptare dhe oligarkët e propagandës që fshihen pas kompanive me llogari të bllokuara, rëndësi ka që paratë e fondit rezervë të shkojnë në destinacionin e duhur privat.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco




