Tensione para Kryeministrisë, protestuesit rrethojnë furgonin e policisë
Tentohet shoqërimi i dy aktivistëve
Momente tensioni janë shënuar pasditen e sotme para Kryeministrisë, ku protesta e studentëve është shoqëruar me përplasje mes qytetarëve dhe forcave të policisë. Shkak është bërë ndërhyrja e efektivëve ndaj dy aktivistëve, Edison Lika dhe Dritan Goxhaj, të cilët policia ka tentuar t’i shoqërojë pas një konflikti lidhur me vendosjen e gjobave.
Sipas informacioneve nga vendngjarja, efektivët kanë nisur zbatimin e masave ndëshkuese të parashikuara në aktin normativ të qeverisë. Situata është tensionuar pasi dy aktivistët kanë refuzuar të marrin njoftimet për gjobat e vendosura nga policia.
Pas këtij veprimi, efektivët kanë tentuar t’i shoqërojnë ata me një automjet policie. Por ndërhyrja ka hasur në kundërshtimin e protestuesve, të cilët janë grumbulluar menjëherë rreth furgonit dhe kanë bllokuar lëvizjen e tij.
Qytetarët kanë dalë përpara automjetit, duke mos lejuar largimin e tij nga zona. Në vijim janë regjistruar shtyrje dhe përplasje fizike mes protestuesve dhe efektivëve, ndërsa në terren janë parë forca të shumta policie që kanë rrethuar furgonin.
Ngjarja zhvillohet në një moment kur protesta studentore kundër qeverisë vijon prej disa javësh, ndërsa zbatimi i aktit normativ dhe nisja e gjobitjes së protestuesve kanë shtuar përplasjet mes tyre dhe uniformave blu.
Deri në këto momente, nuk ka një konfirmim zyrtar nëse Edison Lika dhe Dritan Goxhaj janë shoqëruar përfundimisht në komisariat.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



