‘Ergys Agasi ishte në shtëpinë e Ramës, madje u gjobit nga policia’
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se ka bërë publike prova që, sipas tij, faktojnë praninë e Ergys Agasit më 15 dhjetor në banesën e kryeministrit Edi Rama në Surrel.
Në deklaratën e tij, Berisha e përshkroi Surrelin si një “zonë krimi”, duke pretenduar se ndërtimet në këtë zonë janë realizuar përmes, siç u shpreh ai, përvetësimit të fondeve publike. Sipas tij, opozita e ka denoncuar prej kohësh këtë zonë, ndërsa prania e Agasit aty përbën një element domethënës për akuzat e ngritura.

“Është kapur në zonën e krimit. Surreli është zonë krimi, sepse çdo tullë është vendosur mbi vjedhje dhe është paguar nga qytetarët shqiptarë. Çdo metër katror aty është i vjedhur. Këtu është prova, ka lënë makinën aty. Nëse është larguar me karrotrec apo jo, nuk e them, por aty nuk mund të parkojë askush”, u shpreh Berisha.

Më tej, ai u ndal edhe te kompania EA Solution, duke pohuar se aspekti më i rëndësishëm i çështjes lidhet me përfitimet financiare të saj. Berisha pretendoi se brenda vetëm katër muajsh, fitimet e kompanisë janë rritur në mënyrë disproporcionale, deri në 22 milionë herë më shumë se kapitali fillestar i investuar.
Në përfundim, kreu i PD-së e cilësoi këtë situatë si një provokim dhe fyerje ndaj qytetarëve shqiptarë, duke shtuar se, sipas tij, “nuk ka fyerje më të madhe sesa qëndrimi i Edi Ramës në pushtet”.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



