E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Erion Braçe: Kam denoncuar i pari grabitjen e tokave në Vlorë!
Lajme

Erion Braçe: Kam denoncuar i pari grabitjen e tokave në Vlorë!

Deputeti socialist Erion Braçe ka ngritur në Kuvend shqetësimin për problematikat e vazhdueshme me pronat në Vlorë dhe në mbarë vendin, duke theksuar se rrënjët e këtij fenomeni datojnë që nga viti 1993, me miratimin e ligjit 7501.

Gjatë fjalës së tij në seancë plenare, Braçe rikujtoi se çështja e tjetërsimit dhe shpërndarjes së pronave ka qenë objekt denoncimesh të hershme, duke theksuar se ka qenë ndër të parët që ka ngritur publikisht alarmin për situatën në Vlorë në fillim të viteve 2000.

Ai solli në vëmendje edhe mënyrën se si, sipas tij, toka me status fondi pyjor është shndërruar në tokë bujqësore për t’u ndarë më pas përmes ligjit 7501, një proces që e cilësoi të turpshëm dhe me pasoja afatgjata.

Në të njëjtën kohë, deputeti socialist kritikoi mungesën e pranisë së ministrave në seancat parlamentare, duke theksuar se kjo pengon adresimin e drejtpërdrejtë të problematikave që dalin nga terreni pas “Javës së Gjelbër”.

“Këto seanca janë menduar që deputetët të sjellin shqetësimet e qytetarëve përballë ministrave. Pa praninë e tyre, duket sikur flasim me veten”, u shpreh Braçe.

Ai ndaloi edhe te një çështje konkrete që lidhet me sektorin e bujqësisë, duke denoncuar mungesën e reagimit nga institucionet për shitjen në treg të plehrave kimike me përmbajtje më të ulët azoti se standardi i lejuar.

Sipas Braçes, një shkresë zyrtare është dërguar nga Kuvendi drejt Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), por deri më tani nuk ka pasur asnjë përgjigje nga Ministria e Bujqësisë apo institucionet përkatëse.

Deputeti kërkoi reagim të menjëhershëm nga autoritetet, duke theksuar se çështje të tilla prekin drejtpërdrejt fermerët dhe prodhimin bujqësor në vend.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.