Ermal Nufi, ministri “esnaf” që heq nga vetja përgjegjësitë për pazaret
E delegon firmën tek 3 zv/ministrat Blerina Abrazhda, Enkelejd Joti dhe Pranvera Skana
Pas 5 muajve guxim për të firmosur kontrata e marrëveshje tregtare miliona euro dhe dhurimie të pasurive të ushtrisë, Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ka gjetur zgjidhjen për të evituar përballjen me SPAK-un.
Nuk dihet nëse është frikësuar apo është këshilluar për të mos firmosur pazaret që bën Edi Rama, por ministri Nufi ka vendosur të shmangë përgjegjësinë shkresore, ligjore e penale, duke ua ngarkuar vartësve firmosjen e çdo pazari ekonomiko-financiar në Ministrinë e Mbrojtjes.
Më 31 korrik 2026, vetëm 2 ditë para zhvillimit të tenderit për blerjen e 3 avionëve zjarrfikës me vlerë 15 milionë euro, Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ka deleguar te 3 zëvendësministrat të gjitha kompetencat e tij në miratimin dhe nënshkrimin e kontratave e marrëveshjeve.

Me Urdhër Nr. 1593, datë 31 korrik 2026, ministri Nufi i ka kaluar zëvendësministrit Enkelejd Joti ushtrimin e kompetencave për administrimin dhe zhvillimin e pronave të paluajtshme të mbrojtjes, sektorin e emergjencave civile, sektorin e mjekësisë ushtarake, nënshkrimin e marrëveshjeve ndërkombëtare e ato me privatët, mbikëqyrjen e performancës së tyre, çdo procedurë dhe aktet shkresore të sektorëve që i delegohen.
Me Urdhër Nr. 1594, datë 31 korrik 2026, ministri Nufi i ka kaluar Zv/Ministres Blerina Abrazhda kompetencat e plota në zhvillimin e industrisë ushtarake, procesin e modernizimit me kapacitete të avancuara, koordinimin me institucionet e varësisë dhe privatët.
Zv/Ministrja Blerina Abrazhda, qysh prej datës 31 korrik, ka filluar bashkëpunimin me agjencitë autonome, drejtoritë dhe marrëdhëniet me subjektet private, për hartimin, koordinimin dhe zbatimin e politikave dhe procedurave për zhvillimin e industrisë ushtarake.
Me Urdhër Nr. 1595, datë 31 korrik 2026, ministri Nufi i ka kaluar Zv/Ministres Pranvera Skana ushtrimin e kompetencave të plota për sektorin e arsimit ushtarak, bashkëpunimin civilo-ushtarak, negocimet, inovacionin, teknologjinë, mbrojtjen civile dhe gjithë marrëveshjet dhe veprimet administrative e ekonomiko-financiare që lidhen me këta sektorë të ushtrisë.
Këto 3 urdhra kalimi kompetencash, Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, i ka firmosur më 31 korrik 2026 dhe kanë hyrë në fuqi e ka nisur zbatimi në këtë datë nga 3 Zv/Ministrat, që kanë marrë kompetencat e ministrit.
Por urdhërat i ka publikuar në Fletoren Zyrtare të datës 7 gusht, 1 ditë pasi opozita denoncoi dhe paralajmëroi kallëzim penal ndaj ministrit Ermal Nufi, për aferën e blerjes së 3 avionëve zjarrfikës nga kompania spanjolle “Air Tractor Europe S.L.”, e përjashtuar nga tenderët dhe me procese gjyqësore në disa vende të BE-së për manipulime dhe korrupsion me kontratat.
Nëse SPAK fillon hetimin edhe kryesisht pa kallëzim për këtë aferë e të tjerat që ka firmosur Ermal Nufi gjatë 5 muajve në detyrën e ministrit, ai do të vihet përballë përgjegjësisë penale.
Siç duket, Nufi e ka kuptuar vetë, ose ia kanë sqaruar se po përdoret nga kryeministri Edi Rama për të firmosur pazaret ekonomike, financiare e pasurore, prandaj ua ka ngarkuar kompetencat dhe firmosjet 3 Zv/ministrave./Pamfleti
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



