Ervin Demo dhe Skënder Hita zbarkojnë në Policinë e Shkodrës
Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, ka zhvilluar këtë të martë një takim në Drejtorinë Vendore të Policisë së Shkodrës, ku është parë së bashku me drejtuesin e Policisë së qarkut, Skënder Hita.
Takimi është zhvilluar me strukturat vendore të Policisë së Shkodrës dhe vjen në një periudhë kur problematikat e rendit dhe sigurisë në qark, veçanërisht ato që lidhen me kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike, janë në fokus të institucioneve ligjzbatuese.
Vizita e ministrit në Shkodër ka ngritur pikëpyetje edhe për të ardhmen e drejtimit të strukturave vendore. Sipas burimeve, nuk përjashtohet mundësia që takimet e nivelit të lartë të shoqërohen me ndryshime në disa poste drejtuese, ndërsa performanca e drejtuesve aktualë dhe rezultatet e policisë përballë problematikave të evidentuara pritet të jenë pjesë e një vlerësimi të mëtejshëm.
Në fokus të diskutimeve mbeten edhe çështjet e sigurisë publike në qark dhe mënyra se si Policia e Shkodrës po përballet me aktivitetin kriminal, përfshirë fenomenin e kultivimit dhe trafikimit të narkotikëve.
Pas takimit me strukturat e policisë, ministri Demo pritet të zhvillojë një takim edhe me kryebashkiakun e Shkodrës, Benet Beci. Në këtë takim pritet të diskutohen problematikat që lidhen me rendin dhe sigurinë, si dhe bashkëpunimi institucional për menaxhimin e situatave në qytet dhe në të gjithë qarkun.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



