Ervin Demo: FBI-a asgjë nuk ia lë në dorë rastësisë!
“Përzgjedhja e Shqipërisë nuk është rastësi”
Kryeqyteti shqiptar është bërë mikpritës i një takimi të nivelit të lartë me përfaqësues të FBI-së dhe organizatës “FBI National Academy Associates”, ku morën pjesë edhe drejtues të institucioneve të sigurisë dhe të drejtësisë në vend.
Në këtë aktivitet, ministri i ri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, mbajti fjalimin e tij të parë publik në këtë detyrë, duke përcjellë mesazhe për luftën kundër krimit të organizuar dhe rëndësinë e reformës në drejtësi.
Para partnerëve amerikanë dhe drejtuesve të SPAK-ut e Byrosë Kombëtare të Hetimit, Demo vlerësoi marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, duke e cilësuar Shqipërinë si vendin më pro-amerikan në Evropë. Ai theksoi se rezultatet e arritura në goditjen e grupeve kriminale dhe sekuestrimin e aseteve janë fryt i bashkëpunimit të ngushtë me SHBA-në, të cilin e përshkroi me shprehjen “Made in USA”.
Sipas shifrave të bëra publike gjatë takimit, Policia e Shtetit ka zhvilluar mbi 100 operacione ndërkombëtare gjatë vitit të kaluar, ndërsa është pesëfishuar numri i skuadrave hetimore të angazhuara në bashkëpunim me agjenci si Europol dhe Interpol.
Demo nënvizoi se përballë krimit kibernetik dhe kërcënimeve hibride, bashkëpunimi ndërkombëtar është i domosdoshëm dhe asnjë shtet nuk mund ta përballojë i vetëm sfidën e sigurisë.
Në fjalën e tij, ministri u ndal edhe te 10-vjetori i nisjes së Reformës në Drejtësi, duke paralajmëruar se rezultatet e arritura nuk duhet të sjellin vetëkënaqësi. Ai kërkoi forcimin e besimit mes institucioneve dhe qytetarëve, duke e cilësuar këtë besim si një element thelbësor në luftën kundër krimit.
“Zinxhiri i sigurisë është po aq i fortë sa hallka e tij më e dobët”, ishte mesazhi i përcjellë për nevojën e angazhimit maksimal nga të gjitha strukturat ligjzbatuese.
Në përfundim të fjalimit, Demo e zhvendosi vëmendjen nga temat zyrtare drejt një note personale. Ai uroi që prania e agjentëve amerikanë t’i sjellë fat në detyrën e re dhe, duke iu referuar edhe përvojës së tij si ish-kryebashkiak i Beratit, i ftoi të pranishmit të vizitojnë qytetin historik.
Ftesa për Beratin u paraqit si një mundësi për të njohur një tjetër pjesë të Shqipërisë, përtej Tiranës dhe Durrësit, duke ndërthurur mesazhet e sigurisë me mikpritjen ndaj partnerëve amerikanë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



