E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Ervin Demon ‘nuk e zë dot gjumi’: Do hetojmë veprimet e policisë
Lajme

Ervin Demon ‘nuk e zë dot gjumi’: Do hetojmë veprimet e policisë

Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, ka reaguar sërish pas përplasjeve gjatë protestës në Tiranë, duke dënuar dhunën dhe duke kërkuar që çdo pretendim për përdorim të paligjshëm ose joproporcional të forcës nga policia të shqyrtohet në mënyrë të paanshme.

Në reagimin e dytë, Demo përmend jo vetëm efektivët e policisë, por edhe studentët, qytetarët dhe gazetarët që janë lënduar gjatë protestës. Ai bën të ditur se institucionet përgjegjëse do të publikojnë një bilanc të plotë dhe të verifikuar të personave të dëmtuar.

Ministri dënon sulmet ndaj punonjësve të policisë dhe dëmtimin e pronës publike e private, por njëkohësisht nënvizon se edhe ndërhyrjet e forcave të rendit duhet të jenë në përputhje me ligjin.

Demo: Pamjet dhe dëshmitë duhet të verifikohen

Një nga pikat kryesore të reagimit të ministrit lidhet me nevojën për të shqyrtuar me paanshmëri mënyrën se si u zhvilluan ndërhyrjet policore. Sipas tij, çdo pretendim për përdorim të tepruar të forcës duhet të trajtohet nga organet kompetente, pa paragjykuar përfundimet e hetimit.

Demo kërkon gjithashtu që pamjet filmike dhe dëshmitë që mund të ndihmojnë në zbardhjen e ngjarjeve të ruhen dhe të verifikohen. Ai thekson se përgjegjësia duhet të jetë individuale dhe të përcaktohet mbi bazën e provave.

“Pjesëmarrja në të njëjtën protestë nuk e bën askënd përgjegjës për veprimet e një personi tjetër krah tij”, shprehet ministri në reagimin e tij.

Ai u kërkon strukturave përgjegjëse të marrin masa për uljen e tensioneve dhe parandalimin e përplasjeve të tjera, duke garantuar njëkohësisht sigurinë publike dhe të drejtën e qytetarëve për të protestuar në mënyrë paqësore.

“Protesta paqësore është një e drejtë demokratike”

Në deklaratën e tij, Demo e lidh menaxhimin e protestës edhe me standardet që Shqipëria duhet të përmbushë në rrugën drejt Bashkimit Europian. Ai përmend vlerësimin e marrë në Luksemburg për përparimin e negociatave dhe thekson se këto zhvillime duhet të shoqërohen me respektimin e të drejtave dhe lirive themelore.

Më poshtë, reagimi i plotë i ministrit të Brendshëm, Ervin Demo:

“Të dashur qytetarë,

Sot, në Luksemburg, Shqipëria mori një tjetër vlerësim për përparimin e saj drejt Bashkimit Europian, duke mbyllur përkohësisht një tjetër kapitull të negociatave. Ky përparim na ngarkon me përgjegjësi për të zbatuar standardet europiane edhe në mënyrën se si institucionet tona përballojnë kundërshtitë e cilitdo dhe mbrojnë të drejtat e qytetarëve.

Ngjarjet e sotme përpara Ministrisë së Arsimit janë shqetësuese. Shpreh shqetësimin tim për çdo person të lënduar, qoftë student, qytetar, gazetar apo punonjës policie, dhe u uroj të gjithëve shërim të shpejtë. Institucionet përgjegjëse do të publikojnë një bilanc të plotë e të verifikuar të të lënduarve.

Dënoj pa asnjë rezervë sulmet ndaj punonjësve të Policisë, dëmtimin e pronës publike dhe private. Protesta paqësore është një e drejtë demokratike që shteti ynë e garanton plotësisht. Dhuna ndaj njerëzve dhe institucioneve nuk mund të justifikohet në emër të kësaj të drejte themelore.

Policia e Shtetit ka detyrimin të mbrojë qytetarët, institucionet dhe sigurinë publike. Efektivët meritojnë mbështetje për ushtrimin e detyrës brenda ligjit dhe e kanë detyrë të mbrohen nga çdo sulm ndaj tyre.

Njëkohësisht, çdo veprim i Policisë duhet të jetë i ligjshëm, i nevojshëm dhe proporcional. Organet kompetente do të shqyrtojnë paanshmërisht çdo pretendim për përdorim të paligjshëm apo joproporcional të forcës, pa i paraprirë asnjë përfundimi hetimor. Çdo pamje dhe dëshmi që ndihmon në zbardhjen e çdo detaji të mundshëm duhet të ruhet dhe të verifikohet.

Ligji duhet të zbatohet njësoj për këdo.

Përgjegjësitë duhet të përcaktohen individualisht, mbi bazën e provave. Pjesëmarrja në të njëjtën protestë nuk e bën askënd përgjegjës për veprimet e një personi tjetër krah tij.

U kam kërkuar strukturave përgjegjëse të marrin masat për uljen e tensioneve dhe parandalimin e përplasjeve të tjera, duke garantuar sigurinë publike dhe të drejtën për protestë paqësore. Gazetarët duhet të mund ta kryejnë punën e tyre në siguri.

Standardi europian kërkon një shtet që garanton rendin, respekton liritë dhe jep llogari për veprimet e veta. Kjo është përgjegjësia që duhet të përmbushim edhe pas ngjarjeve të sotme.

Faleminderit”, thuhet në reagimin e ministrit.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.