E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Ervis Martinaj shpallet për herë të dytë në kërkim nga SPAK për akuzat e vrasjeve në Shkodë
Lajme

Ervis Martinaj shpallet për herë të dytë në kërkim nga SPAK për akuzat e vrasjeve në Shkodë

Ervis Martinaj rezulton i zhdukur prej një viti, por këtë të enjte SPAK ka lëshuar një urdhërarrest të dytë ndaj tij. Martinaj akuzohet si porositës i disa vrasjeve në zonën e Shkodrës.

Ervis Martinaj është në mesin e 15 personave, për të cilët SPAK ka lëshuar urdhërarreste në një operacion të nisur prej orëve të vona të së mërkurës. Në këtë operacion të konsideruar “top secret” deri në këto momente kanë rënë në pranga zyrtarë policie, prokurorë e biznesmenë.

“Çfarë i lidh të gjithë këta persona me njëri-tjetrin, janë çështje të cilat lidhen me vrasje dhe urdhërim vrasjesh për disa ngjarje të ndodhura në Shkodër”, thonë burime të besueshme nga policia.



Deri më tani në pranga ka rënë ish-drejtuesi i Operacionales, Oltion Bistri, i shkarkuar nga detyra vetëm pak ditë më parë, drejtuesi i Prokurorisë së Kukësit, Xhevahir Lita, biznesmeni Pëllumb Gjoka dhe shoqëruesi i tij Edmond Preka. Mes të arrestuarve po ashtu është edhe Astmer Bilali, i arrestuar në 2018-n si pjesë e grupit “Bajri” në Shkodër.

Në pranga raportohet të ketë rënë edhe Ardit Hasanbegaj, ish-shef për Krimet në Berat, i përjashtuar nga radhët e policisë një vit më parë, pas zbulimit të serave me kanabis në fshatin Drenovicë të Beratit.

Janë të paktën 15 urdhërarreste të lëshuara nga Prokuroria e Posaçme. Akuzat janë disa, mes të cilave organizatë kriminale, grup i strukturuar kriminal, kryerja e veprave penale në organizata kriminale, shpërdorim detyre, korrupsion, e deri te vrasje.

Ervis Martinaj është denoncuar i zhdukur nga familjarët prej Gushtit të 2022-t. Ky është urdhërarresti i dytë për të, pasi më herët SPAK e ka shpallur në kërkim pas dëshmisë së bashkëpunëtorit të drejtësisë, Nuredin Dumani, sipas së cilit Martinaj do ta paguante 500 mijë euro për të vrarë Indrit Doklen.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.