Është thjeshtë fillimi i fundit!
ME NE FUND…” e titullonte sot E.Rama njoftimin e tij pas miratimit nga Parlamenti i RMV të propozimit francez. Që i hap në fakt dritën jeshile çeljes së negociatave që prej vitesh i kemi pritur të gjithë.
Dhe që në krye të herës duhet thënë se ky nuk është sukses i E.Ramës, por i Shqipërisë!
“Faleminderit të gjithëve ju, që më mbështesni e inkurajoni apo më ngacmoni e nxini jetën me komentet tuaja.
Faleminderit të gjithë shqiptarëve që me votën e tyre, na e kanë besuar neve, socialistëve e progresistëve, këtë mision historik për Shqipërinë dhe po ashtu, faleminderit, atyre që duke mos na e dhënë votën, na kanë bërë më luftarakë e kokëfortë për misionin e Atdheut tonë të përbashkët”.
Shkëputa këto paragrafe nga statusi i tij për të ilustruar për të disatën herë sesi e koncepton E. Rama suksesin e Shqipërisë.
Në fakt kishte falenderime dhe për bashkëshorten dhe fëmijët, por nuk kisha dëshirë të ndalesha. Por edhe aty “suksesin” e ka të lidhur me familjen e tij të ngushtë.
Sot ishte një rast i mirë që E.Rama të fliste si Kryeministër. Që më në fund të shpaloste vizionin e tij për të gjitha sfidat që e presin vendin dhe shtetin tonë në një proces të vështirë që duhet thënë se do jetë disavjeçar.
Do të merrte levdata nga të gjithë, me zë dhe me heshtje, nese do të fliste si Kryeministër duke bërë thirrje për të lënë menjanë ndasitë dhe për t’ju përveshur menjëherë punës. Por ai punën e ka te lidhur vetëm me një grup të ngushtë njerëzish që të hënën, sipas tij, do fluturojnë në Bruksel. Kështu e koncepton ai sfidën e madhe që e pret të gjithë administratën dhe shtetin shqiptar për këtë proces.
E. Rama në jetën e tij politike nuk ka rendur kurrë pas proceseve shtetformuese. Siç ka thënë dhe vetë, të paktën në disa raste, ai nuk lexon. Ai firmos pam pam pam çfarë i venë përpara. Por, ka një aftësi. Përthith mirë çfarë i thonë dhe di ta shesë produktin.
Ndaj të hënën bëhuni gati për hapjen e shampanjës. Don Perignon me siguri. Bëhuni gati po ashtu për një monolog të gjatë arrogance e prepotence. Sepse po plas prej disa ditësh! Qe nga 7 korriku për të qenë më të saktë!
Pasi ta kalojë edhe këtë proces mos kërkoni më shumë! Përsëri nuk do lexojë. Përsëri do firmosë!
Do detyrohet të firmosë pasi t’i kenë vënë mbi tavolinë iniciativat e Procesit të Berlinit!
Do tërhiqet duke gjetur një zgjidhje të butë për amnistinë fiskale dhe penale! Çuna mos u mërzisni, nuk është hera e parë që zhgënjeheni.
Iniciativat e Këshillimit Kombëtar do t’ja lënë vendin letrave pafund që do t’i vihen në tavolinë si kushte të panegociueshme për të vijuar procesin e negociatave!
E shumë e shumë të tjera…
Ndaj dhe sot bëri një përsiatje të gjatë duke lavdëruar vetveten! Sepse e di çfare e pret në vijim.
Është vetëm fillimi i fundit…
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



