Eurodeputeti gjerman “shuplakë” Ramës: Po ndërhyn për të shpëtuar imunitetin e Ballukut
Kritikat ndaj qeverisë shqiptare janë ngritur edhe në Parlamentin Europian, ku eurodeputeti gjerman Michael Gahler ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se po ndërhyn për të penguar heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Gjatë fjalës së tij në Parlamentin Europian, përfaqësuesi i grupimit të Partive Popullore Europiane deklaroi se ndërhyrja e pretenduar e kryeministrit për çështjen e imunitetit ngre pikëpyetje serioze mbi standardet e funksionimit të institucioneve dhe pretendimet për përparimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.
Gahler vuri në diskutim edhe mënyrën se si Shqipëria mund të konsiderohet një vend pararojë në procesin e integrimit, ndërkohë që, sipas tij, mbeten ende shumë probleme dhe shqetësime për t’u adresuar.
“Kur shoh se për arsye politike kryeministri ndërhyn për të siguruar që zëvendëskryeministres të mos i hiqet imuniteti, atëherë kjo ngre shqetësime serioze. Si mund të konsiderohet Shqipëria një vend pararojë kur ekziston një listë kaq e gjatë problemesh dhe shqetësimesh”, u shpreh eurodeputeti.
Propozimi për qeveri teknike
Në vijim të deklaratës së tij, Gahler hodhi si alternativë mundësinë e krijimit të një qeverie kujdestare ose teknike. Sipas tij, një zgjidhje e tillë mund të ndihmonte në uljen e tensioneve politike dhe shoqërore, si dhe të rikthente besimin e qytetarëve te procesi zgjedhor.
Eurodeputeti e lidhi këtë propozim edhe me protestat e zhvilluara në Shqipëri, duke përmendur nevojën për të qetësuar qytetarët dhe shoqërinë civile.
“Ndoshta një qeveri kujdestare, një qeveri teknike, mund të ishte një zgjidhje për të qetësuar protestuesit dhe shoqërinë civile, si dhe për t’u dhënë qytetarëve shpresë se zgjedhjet e ardhshme do të jenë të lira dhe të ndershme, pa u errësuar nga korrupsioni”, deklaroi Michael Gahler.
Deklarata e eurodeputetit gjerman vjen në një moment kur çështja e imunitetit të Belinda Ballukut dhe zhvillimet që lidhen me hetimet ndaj saj janë kthyer në një nga përplasjet kryesore mes mazhorancës, opozitës dhe institucioneve të drejtësisë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



