E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Europa alarmohet nga lufta SHBA-Izrael kundër Iranit
Lajme

Europa alarmohet nga lufta SHBA-Izrael kundër Iranit

Kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez, ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve të fundit në Lindjen e Mesme, duke dënuar atë që e cilësoi si një “veprim të njëanshëm ushtarak” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli kundër Iranit.

Sánchez theksoi se sulmet ajrore përbëjnë një përshkallëzim të rrezikshëm të situatës dhe kontribuojnë në krijimin e një rendi ndërkombëtar më të pasigurt dhe më armiqësor. Ai dënoi gjithashtu reagimin e Iranit, duke bërë thirrje për ulje të menjëhershme të tensioneve dhe për rikthim të palëve në rrugën e dialogut diplomatik.

Në të njëjtën linjë është shprehur edhe presidenti francez Emmanuel Macron, i cili paralajmëroi për rrezikun serioz që përshkallëzimi ushtarak paraqet për paqen globale.

Në një mesazh të publikuar në platformën X, Macron theksoi se përshkallëzimi i konfliktit mbart pasoja të rënda për sigurinë ndërkombëtare dhe duhet të ndalet menjëherë. Sipas tij, vazhdimi i tensioneve në rajon është i rrezikshëm për të gjithë dhe kërkon ndërhyrje urgjente diplomatike.

Presidenti francez i kërkoi gjithashtu regjimit iranian të angazhohet pa alternativa në negociata serioze për të ndalur programet bërthamore dhe balistike, si dhe veprimet që, sipas tij, destabilizojnë rajonin.

Ai theksoi se ky hap është thelbësor për sigurinë e të gjithë Lindjes së Mesme. Macron shtoi gjithashtu se populli iranian duhet të ketë mundësinë të ndërtojë lirisht të ardhmen e tij, duke argumentuar se veprimet e fundit të regjimit e diskreditojnë atë në sytë e komunitetit ndërkombëtar.

Në reagimin e tij, Macron bëri thirrje për një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të diskutuar situatën. Ai nënvizoi se Franca është e gatshme të mobilizojë burime për të mbrojtur partnerët e saj, nëse kjo kërkohet, ndërsa shtoi se autoritetet franceze po marrin të gjitha masat për sigurinë e qytetarëve të tyre.

Deklaratat e liderëve europianë vijnë në një moment kur tensionet në Lindjen e Mesme janë rritur ndjeshëm dhe ekziston frika se konflikti mund të përshkallëzohet më tej, duke përfshirë aktorë të tjerë në rajon dhe duke rritur rrezikun për stabilitetin global.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.