Lufta dhe pafuqia e Europës: një superfuqi ekonomike pa zë në sigurinë globale
Përveç kostove të tmerrshme njerëzore, veçanërisht vrasjes së fëmijëve (një turp që njerëzimi është i paaftë ta ndalë për sa kohë do të ketë nëpër këmbë Netanjahuj, ajatollahë e kësisoj soji), dëmi i dytë më i madh i kësaj lufte nuk janë pasojat ekonomike.
Këto të fundit kanë qenë të përmbajtura, të paktën deri më tani. Dhe duket se do të mbeten të tilla, sipas asaj që po vlerësojnë tregjet. Përveç bursës mediatike shqiptare, që e çoi çmimin e naftës në 5 mijë lekë.
Dëmi i dytë më i madh, ose më saktë e vërteta më e hidhur e kësaj lufte, është se ajo tregoi që Europa është dhe do të mbetet përjetësisht disfunksionale, veçanërisht në termat e sigurisë.
Para ca kohësh, Draghi bëri një raport ku konkludoi se rruga e vetme që Europa të mbijetojë në realitetin e ri është federalizmi. Por ndasitë duken aq të mëdha sa këta ngjajnë me një kuvend fisesh, ku secili i bie qemanes për hesap të vet.
Meloni ka një javë që fshihet. Pardje iku me vrap nga Parlamenti si hajdut xhepash, vetëm për të mos u prononcuar për luftën, sepse e di që italianët janë kundër, por ajo nuk e kundërshton dot.
Von der Leyen edhe kjo është fshehur dhe sajon aktivitete kot vetëm për t’iu shmangur komenteve për luftën. Nxjerrin herë pas here Kallasen, e cila thotë gjëra të kota, pa vlerë, si p.sh. që ka rrezik që në Iran të shpërthejë luftë civile.
Macroni është as mish as peshk, si gjithmonë. Mertzi, që duhet të ishte udhëheqësi i Europës, po rezulton një nga liderët më të dobët në historinë e Gjermanisë.
I vetmi që ka guxim të thotë atë që mendon në Europë është spanjolli. Por Spanja është shumë e vogël për të krijuar qendër graviteti.
Rezultati në fund është që Europa është ekonomia më e madhe e botës, por mund të sulmohet nga kushdo dhe praktikisht nuk ka asnjë zë në sigurinë globale. Domethënë, fatet e Europës do të vendosen nga interesat e Kinës ose Rusisë.
Po vazhdoi kështu, edhe si ekonomi do të mbetet e madhe edhe për pak kohë, sepse po e humbet garën gjithandej.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



