FAKTE/ Deputeti Bujar Çela që shkaktoi “Gerdecin” e Lushnjes

SPAK ka marrë në dorë dosjen e shpërthimit në biznesin e deputetit Bujar Çela, e njohur tashmë si dosja e Gërdecit të Lushnjes, me pasojë humbjen e jetës të dy punëtorëve babë e bir dhe plagosjen e 7 të tjerëve.

Krahu i djathtë i Rrapush Xhaferrit, bosit të piramidave. Pse e ka fshehur deputeti të shkuarën dhe ku i gjeti paratë për Gërdecin e Lushnjes?

Gërdeci i Lushnjes nuk është thjeshtë një aksident në punë. Nuk mund të ketë punë, ndërtim dhe as aksident në linjën e tensionit të lartë. Nën tensionin e lartë ka vetëm krim.

Gërdeci i Lushnjes është pikësëpari një aferë e mirfillt korruptive, ka elemente të pastrimit të parave dhe është shembull i përdorimit të mandatit të deputetit nga ‘drurët e shtrembër’ në PS për pasurimin e familjeve të tyre, në shkelje të ligjeve dhe rregullave.

Orkestruesi dhe përfituesi i Gërdecit të Lushnjes është deputeti Bujar Çela, ndërsa sipërmarresi i punimeve Leonard Gjini, edhe pse i arrestuar më parë po për aksidente në punë, është një argat i deputetit.

Kush është Bujar Çela?

Bujar Çela është nga Karbunara e Lushnjes. Gjatë viteve të para të pluralizmit njihej si veterineri i fshatit.

Veteriner është një nga profesionet më të nderuara dhe të respektuara në botë. Madje Lushnja ka nevojë më shumë se kurrë më parë për veteriner.

Por, Çela do ta braktiste këtë profesion, duke i hyrë rrugës së parasë dhe pasurimit të paligjshëm.

Bujar Çela i bashkua firmave piramidale në vitin 1995 dhe shumë shpejt arriti të bëhej krahu i djathtë i Rrapush Xhaferrit, një prej bosëve të mashtrimit të shqiptarëve në vitin 1996.

Çela dhe Xhaferri, shpesh, qëndronin deri në mesnatë duke numëruar pratë që u kishin mbledhur gjatë ditës shqiptarëve në Lushnje, Berat dhe Fier.

Bujar Çela ishte menaxheri kryesor i ‘Gjeneralit’ të fajdeve të Rrapush Xhaferrit, në mbledhjen dhe sistemimin e parave.

Karrierën si dora e besuar e Rrapush Xhaferrit, Bujar Çela, në CV-në e tij si deputet, natyrisht që e ka fshehur.

Për periudhën 1992 deri në 1997, kur u arrestua Rrapush Xhaferri, duke u arratisur pas tre muajsh drejt Turqisë, Bujar Çela shënon në CV ‘profesion i lirë’, duke nënkuptuar vetëm profesionin e veterinerit.

Për rolin e tij si krahu i djathë i bosit të piramidave ka shumë dëshmitarë dhe gjurmë në dosjen penale.

-A ngriti biznese dhe u pasurua Bujar Çela me paratë e firmave piramidale?

-Si u kthye veterineri në biznesmen pas piramidave?

Përgjigjen mund t’a japë vetëm një hetim pasuror nga SPAK-u.

Prapaskena nuk ka të dhëna që Çela ka marrë tendera publikë apo që të ketë ndërhyrë për të diktuar tendera, duke marrë përqindjen siç kanë vepruar shumë kolegë të tij. Me sa duket ujqërit e vjetër nuk e kanë lënë të afrohet.

Por, ka sinjalizime se Bujar Çela është matrapazi më famëkeq i vendeve të punës në Lushnje.

Sipas denoncime, Bujar Çela, duke përdorur funksionet partake dhe mandatin e deputetit, ka shitur gjitmonë vendet e punës si policë, mësues, mjekë, infermiere deri te pastruese.

Jo rastësisht, në të gjitha zonat që është caktuar Çela, PS-ja ka humbur vota, pasi vendet e punës të shitura nuk japin rezultate.

Çela ka vepruar gjithnjë në heshtje, skutave dhe duke bërë pazare të vogla.

Para Gërdecit të Lushnjes, ai u bë i njohur në vitin 2021 pasi u tha golegëve deputetë të opozitë që të mos i rruanin leshtë.

Në grupin e Whatsapp të komisionit ku bën pjesë Çela ka uruar këtë Ditën e Pavarësisë shënuar me një flamur shqiptar dhe krahas tij, portretin e ish-diktatorit Enver Hoxha.

Por ky urim nuk i ka lënë të tjerët indiferentë dhe një përgjigje e ka marrë nga deputeti i PD, Enkelejd Alibeaj, i cili e ka konsideruar “një turp” këtë urim.

Ndaj kritikave të deputetëve, Bujar Çela u përgjigj tekstualisht: “Më rruan leshtë kush s’me njeh mua dhe kohën!”

Skandali shqetësoi krerët e PS.

Kryetari i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla ndërhyri dhe u përpoq të lehtësonte pozitën e deputetin socialist Bujar Çela.

Në një reagim Balla tha se ka marrë sqarime nga deputeti i cili i ka thënë se aparati celular ishte përdorur nga persona të tjerë.

Por, gjatë komunikimit, deputeti Çela u drejtohej kolegëve me epitetin ‘tufë’, që në fakt i përket fushës së veterinarisë, profesionit të tij. Mënyra, niveli dhe gjuha e komunikimit duket se i përket Çelës.

Me gjithë dëshirën e mirë të Ballës për ta zbutur skandalin, vështirë që deputeti t’a lërë telefonin në duart e dikujt tjetër, edhe për shkak të disa historive, për të cilat do të flasim në vijim.

Gjithsesi, me interes priten hetimet e SPAK dhe nëse do të marrin përgjigje pyetjet:

-Ku i gjeti Bujar Çela mbi 250 mijë euro për investimin nën linjën e tensionit të lartë?

-A e ka deklaruar burimin në ILDKPKI?

-Cili është roli i kryetares së Bashkisë Lushnje, Eriselda Sefa në dhënin e lejes së ndërtimit në një zonë të banuar?

-Cili është roli i bashkëshortes së Bujar Çelës, drejtoreshë në Bashkinë e Lushnjes?/ NAMI

Publikuar nga Publik Media