“Ferma VIP 3” me ndryshime drastike, zbardhen prapaskena e spektaklit
Formati televiziv Ferma VIP rikthehet më 27 mars me një identitet të ri vizual dhe një sërë ndryshimesh që prekin thelbin e programit.
Sezoni i tretë vjen nën drejtimin e Arbana Osmani, duke sjellë një qasje të rifreskuar si në prezantim, ashtu edhe në koncept. Ndryshimet nuk kufizohen vetëm te figura e moderatores, por përfshijnë të gjithë strukturën vizuale dhe skenografike të spektaklit.
Një nga elementët më të dukshëm është transformimi i ambienteve. Ndryshe nga estetika rustike që karakterizoi dy edicionet e para, këtë sezon pritet një stil më modern me ngjyra të forta dhe ndikime “pop art”, duke i dhënë programit një identitet më dinamik dhe bashkëkohor.

Edhe skena qendrore pëson ndryshim të rëndësishëm. Ajo largohet nga formati tradicional dhe zgjerohet në përmasa, duke iu afruar standardeve të spektakleve të mëdha televizive ndërkombëtare.
Po ashtu, vëmendje ka marrë logoja e re e emisionit. Simboli i mëparshëm me patkua është zëvendësuar me një dizajn ku dominojnë elementë që lidhen drejtpërdrejt me fermën, si silueta e shtëpisë, duke sinjalizuar një shkëputje të qartë nga identiteti i deritanishëm.
Këto ndryshime kanë hapur edhe diskutime mbi dinamikat brenda produksionit, duke ngritur pikëpyetje për raportet mes ekipit të mëparshëm dhe atij aktual. Megjithatë, deri më tani nuk ka një reagim zyrtar dhe çdo pretendim për përplasje mbetet në nivel spekulimi.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



