Flakët dalin jashtë kontrollit në Mat, evakuohen disa familje
Prej katër ditësh, situata në Njësinë Administrative Ulëz të Bashkisë Mat vijon të jetë kritike për shkak të një zjarri të përmasave të mëdha që ka përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme pyjore.
Flakët kanë përshkuar qindra hektarë me pisha, dushqe dhe bimësi të ndryshme, duke u shtrirë në zonat e Lundrës, Trodhenës dhe Madheshit.
Zjarri vijon të jetë jashtë kontrollit dhe, për shkak të erës dhe terrenit, flakët po avancojnë me shpejtësi. Situatën e ka bërë edhe më të vështirë tymi i dendur, ndërsa intensiteti i zjarrit ka penguar ndërhyrjen e efektivëve nga toka në disa prej vatrave.
Rreziku është shtuar edhe për banorët e zonës. Gjatë mbrëmjes së kaluar, për shkak të afrimit të flakëve, disa familje në Madhesh janë evakuuar. Zjarri ka kërcënuar gjithashtu banesa dhe stane ku mbahen bagëti.
Këtë të mërkurë, drejt Madheshit janë nisur forca të shumta me qëllim izolimin e vatrave aktive dhe frenimin e përhapjes së mëtejshme të zjarrit.
Në operacionin e shuarjes janë përfshirë punonjës të Bashkisë Mat, shërbimet zjarrfikëse, efektivë të shërbimit pyjor dhe forca të ushtrisë. Prej katër ditësh, ekipet po punojnë në terren për të vënë nën kontroll situatën.
Ndërhyrja nuk po zhvillohet vetëm nga toka. Në operacion është angazhuar edhe një helikopter, i cili prej tre ditësh po merr pjesë në përpjekjet për shuarjen e flakëve dhe izolimin e vatrave të zjarrit.
Pavarësisht angazhimit të forcave në terren dhe ndërhyrjes nga ajri, situata vijon të paraqitet e rënduar. Operacioni për izolimin dhe shuarjen e vatrave aktive në zonën e Ulëzës dhe Madheshit vazhdon.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



