Arben Ahmetaj plas skandalin e qeverisë me avionët zjarrfikës
“Do të kishin ardhur që në muajn maj, EFA ofroi tre avionë për 14.4 milionë euro, por u skualifikua”
Arben Ahmetaj ka hedhur akuza të reja ndaj qeverisë, këtë herë për procedurën e tenderit për blerjen e avionëve zjarrfikës. Gjatë intervistës në emisionin “Çim Peka LIVE”, ish-zëvendëskryeministri deklaroi se ka depozituar informacionet që disponon lidhur me këtë çështje dhe ngriti pikëpyetje mbi mënyrën se si është zhvilluar gara.
Sipas Ahmetajt, procedura është zhvilluar mes kompanive “Thrush Aircraft” dhe “Air Tractor”, të cilat ai i përmendi si kompani të përfshira në prodhimin e avionëve zjarrfikës.
“Është një lloj kthimi mbrapa, ku unë i kam depozituar elementet e informacionit me çka duhet. Gara ka qenë ndërmjet ‘Thrush Aircraft’ dhe ‘Air Tractor’. ‘Thrush Aircraft’, që ka këtë emrin EFA Holding, janë kompanitë e vetme të prodhimit të avionëve zjarrfikës”, deklaroi Ahmetaj.
Tenderi me vlerë 14.4 milionë euro
Ish-zëvendëskryeministri tha se tenderi kishte një fond rreth 14.4 milionë euro dhe parashikonte blerjen e dy avionëve zjarrfikës të tipit “floating”, pra avionë të pajisur për operim në ujë.
Ahmetaj pretendoi se gjatë procedurës ishte paraqitur edhe një argument teknik që avionët duhej të ishin me rrota, por sipas tij, ky propozim nuk ishte marrë parasysh.
Ai e lidhi këtë vendimmarrje me kryeministrin Edi Rama, të cilin në deklaratat e tij e cilësoi si “kreu i organizatës”.
“Kanë hapur tenderin me 14.4 milionë, plus ose minus, euro për dy avionë ‘floating’, pra jo me goma, por me gomone, le ta themi. I është thënë me argumente tekniko-shkencore që duhet të jenë me goma. S’ka pranuar, sepse kreu i organizatës e ka pasur të drejtpërdrejtë logjikën që do të shkonte te ‘Air Tractor’”, tha Ahmetaj.
Oferta alternative: Tre avionë për të njëjtën shumë
Një tjetër pretendim i bërë gjatë intervistës lidhet me një ofertë që, sipas Ahmetajt, kompania EFA i kishte paraqitur qeverisë.
Sipas tij, EFA kishte propozuar që për të njëjtën vlerë prej 14.4 milionë eurosh, Shqipëria të merrte tre avionë me rrota, pra një avion më shumë se numri i parashikuar në tender.
Ahmetaj tha gjithashtu se kompania kishte marrë përsipër që avionët t’i sillte në Shqipëri deri më 26 maj, duke bërë të mundur përdorimin e tyre gjatë sezonit të zjarreve.
“Atëherë EFA i ka shkruar në zyrë dhe i ka thënë: ‘Ore, me 14.4 milionë euro, unë ju sjell tre avionë me goma dhe jua sjell deri në 26 maj, që t’i keni për zjarret’. Ermal Raketa është entuziazmuar një moment”, u shpreh Ahmetaj.
Ahmetaj: EFA u skualifikua pas ndërhyrjes
Sipas versionit të paraqitur nga Arben Ahmetaj, pas kësaj oferte situata ndryshoi dhe EFA u përjashtua nga gara.
Ish-zëvendëskryeministri pretendoi se vendimi për skualifikimin e kompanisë erdhi pas një ndërhyrjeje që ai e lidhi me një person të cilit iu referua si “komandanti”. Në këtë pjesë të deklaratës, Ahmetaj përmendi sërish edhe Ermal Raketën.
“Mirëpo, kur është thirrur përpara komandantit, i është hequr veshi Ermal Raketës. Dhe Ermal Raketa e skualifikon EFA-n. Sot e kësaj dite ka shumë gjëra këtu. Sot e kësaj dite nuk kanë ardhur avionët”, deklaroi Ahmetaj.
“Avionët do të kishin ardhur në maj”
Në përfundim të deklaratës së tij, Ahmetaj e lidhi çështjen e tenderit me situatën e zjarreve në Shqipëri, duke argumentuar se vonesat në procedurë kanë ndikuar edhe në mungesën e avionëve gjatë sezonit të zjarreve.
Sipas tij, nëse oferta e EFA-s do të ishte pranuar, tre avionët do të kishin mbërritur në Shqipëri që në muajin maj dhe do të ishin vënë në dispozicion për ndërhyrjet ndaj zjarreve.
“Do kishin ardhur avionët, shqiptarë të nderuar, do kishin ardhur avionët në maj. Do kishin fluturuar, do të shuanin zjarret. Është zjarri që ka lënë kreu i organizatës, vetëm që t’i kalojnë paratë ‘Air Tractor’”, përfundoi Ahmetaj.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



