Flakët përfshijnë Ministrinë e Drejtësisë, protestuesit thyejnë xhamat
Protesta studentore në Tiranë është përshkallëzuar më tej, duke përfshirë edhe Ministrinë e Drejtësisë. Pas largimit nga zona e Kryeministrisë dhe zhvendosjes drejt qendrës së kryeqytetit, protestuesit kanë thyer xhamat në katin e parë të godinës dhe kanë ndezur zjarr.
Incidenti është regjistruar këtë të mërkurë, në një ditë të shoqëruar me akte dhune dhe dëmtime në disa institucione shtetërore dhe biznese private. Një pjesë e protestuesve është drejtuar gjithashtu drejt Kuvendit, ndërsa situata në kryeqytet vijon të jetë e tensionuar.
Incidente edhe në Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave
Sulmi ndaj Ministrisë së Drejtësisë vjen pas incidenteve të mëparshme në Ministrinë e Ekonomisë dhe Inovacionit. Aty, protestuesit thyen derën hyrëse, hynë në ambientet e brendshme dhe nxorën objekte, të cilave u vunë flakën. Zjarr është raportuar edhe në katin e parë të Ministrisë së Financave.
Zjarr në Kryesinë e Kuvendit
Ndërkohë, në Kryesinë e Kuvendit është thyer dera hyrëse dhe është ndezur zjarr në hollin e institucionit.
Përplasje të forta para Kryeministrisë
Përplasjet më të forta janë zhvilluar edhe përpara Kryeministrisë, ku protestuesit kanë hedhur gurë në drejtim të forcave të Policisë. Efektivët kanë reaguar me gaz lotsjellës dhe ujë me presion, në përpjekje për të shpërndarë turmën.
Depërtim brenda rrethimit të Kryeministrisë
Gjatë protestës, demonstruesit kanë arritur të depërtojnë brenda rrethimit të Kryeministrisë, ku janë përfshirë nga flakët edhe pemë në ambientet e jashtme. Më pas, zjarre janë raportuar edhe në disa biznese të vendosura në katet e poshtme të kullave përballë godinës së qeverisë.
Me incidentin e fundit në Ministrinë e Drejtësisë, lista e institucioneve të prekura nga dhuna gjatë protestës vijon të zgjerohet.
Deri më tani, nuk ka të dhëna të konfirmuara për vlerën e dëmeve të shkaktuara nga zjarri në godinën e Ministrisë së Drejtësisë apo për persona të lënduar në këtë incident.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



