Florjan Binaj ‘dhëmbë për dhëmbë’ me Edi Ramën
“U merr 140 mln euro shqiptarëve pa vënë asnjë tullë”
Kandidati i pavarur për Bashkinë e Tiranës, Florjan Binaj, i cili gëzon mbështetjen e opozitës, ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama gjatë podkastit të tij të fundit. Rama, duke iu referuar zgjedhjes së opozitës për kandidatin e kryeqytetit, u shpreh se “opozita është aq e dëshpëruar, sa zgjedh një aktor humori për t’u përballur në garën për Tiranën”.
Në reagimin e tij në Facebook, Binaj e ktheu ironinë, duke e quajtur vetë Ramën “aktorin më të madh në Shqipëri”.
“Aktori më i madh në vend është Edi Rama, që u merr 140 milionë euro qytetarëve duke i bindur se po ndërton incenerator, pa vendosur asnjë tullë. Prestigjiator!”, shkroi ai në postim.
Në podkastin e transmetuar të dielën, Rama e cilësoi kandidaturën e Binajt si “një rol të ri” të një aktori që, sipas tij, “për vite të tëra ka bërë për të qeshur edhe Kongresin e Partisë Socialiste, kur imitoi vetë kryeministrin”.
Duke folur për garën lokale në kryeqytet, datë që ende nuk është zyrtarizuar, Rama tha se zgjedhja e Binajt tregon gjendjen e vështirë të opozitës, të cilën e quajti “kënetë politike”.
“Këneta është kaq e dëshpëruar sa ka nxjerrë një aktor humori në rolin e një kandidati të pavarur. Por s’e gjykoj keq, sepse aktorët me role jetojnë,” u shpreh Rama.
Kryeministri përmendi gjithashtu se votat për Partinë Socialiste dhe për të vetë do të përkthehen në mbështetje për Ogerta Manastirliun, që sipas tij “do t’i japë Tiranës drejtuesen e duhur për të çuar përpara projektin e Shqipërisë 2030”.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



