FOTO/“Nuk kemi bërë maksimumin”, Manastirliu në Kongresin e PS-së: Nëse bashkojmë fuqitë dhuna e çmendur dhe barbare ndaj grave …
Kongresi i Partisë Socialiste ka filluar sot punimet nën moton “Edhe 1”. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka mbajtur fjalën e saj ku theksin e ka vënë tek gjërat që PS nuk ka mundur të bëjë punë aq sa duhet.
“Jam e sigurtë që ka ende gra që duhet të ishin këtu sot, por nuk mundën të na bashkoheshin. Jam e sigurtë ku ka ende zona ku ne nuk kemi shkelur dhe nuk kemi ndihmuar aq sa duhet për t’i ndihmuar këto vajza dhe gra të përmbysin mentalitetin mbytës që nuk i lë të ngrenë zërin.
Fakti që sot në 2020 vuajmë ende epideminë e dhunës ndaj grave do të thotë që nuk e kemi bërë ende maksimumin e përpjekjeve dhe se duhet të gjithë bashkë t’i shumëfishojmë përpjekjet në këtë drejtim.
Jam besimplotë se nëse të gjitha bashkë duke nisur nga vetja ime bashkojmë përpjekjet, do të vijë një kohë kur dhuna absurde, e çmendur e papranueshme, barbare ndaj grave do të jetë dhe do të mbetet si një kujtim i turpshëm i një të kaluare që nuk duhet të vijë kurrë më. Edhe vetëm të gjitha bashkë do t’ia dalim”, u shpreh Manastirliu.
Ministrja Besa Shahini, në fjalën e saj në Kongresin e PS-së, e vuri theksin te dhuna dhe ngacmimet ndaj grave.
Shahini tha se sistemi arsimor nuk është ende emancipues, ndërsa akuzoi median se është patriarkale dhe se promovon imazhin e burrit të fortë.

Duke u ndalur tek denoncimet që vajzat dhe gratë kanë bërë në media për ngacmimet seksuale ndaj tyre, ministrja Shahini ka thumbuar edhe drejtuesit e emisionit “Stop”, ku u shpreh se “media në vend që t’i trajtojë në ndjeshmëri, i nxjerr në emisione dhe spekulojnë me javë”.
“Sistemi arsimor nuk është ende emancipues. Media patriarkale promovon imazhin e burrit të fortë duke ndërtuar mes imazheve një pabarazi. Gruaja dhe vajza kanë filluar të kenë kurajon të denoncojnë ngacmimet. Media në vend që t’i trajtojë në ndjeshmëri, i nxjerr në emisione dhe spekulojnë me javë.
Vetëm për të tërhequr shikueshmëri. Nuk janë të vetëdijshëm për hipokrizinë e tyre, që gjoja brengosen për ngacmim, ndërsa ndoshta ngacmojnë edhe vetë trupat e grave të reja që vallëzojnë aty në emision. Hapësira ku denoncohet abuzimi duhet të jetë e sigurt. Edukimi feminist nuk është kundër burrave por mendësisë patriarkale” tha Shahini.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



