FOTO/ U shpall në kërkim edukatorja e dyshuar për dhunë ndaj fëmijëve në kopshtin privat “Gledis”
Kjo është Rudina Gërdani, edukatore në kopshtin privat “Gledis”, është shpallur në kërkim pas një denoncimi të bërë nga dy prindër për dhunë fizike ndaj fëmijëve të tyre.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta në publik, ndërsa pamjet e publikuara nga media kanë nxjerrë në pah skena shqetësuese nga brenda kopshtit.
Në një prej videove të publikuara, shihet momenti kur edukatorja Gërdani fillimisht i bën një foto një fëmije për ta publikuar në rrjetet sociale të kopshtit dhe më pas e godet me shuplakë. Në një tjetër rast, një djalë 3-vjeçar goditet pas koke nga e njëjta edukatore.
Denoncimi në polici është bërë nga Lorenc Rrapa, babai i vogëlushit Priam, i cili ka treguar se djalit të tij i janë gjetur shenja dhune dhe ka dëshmuar për raste të përsëritura të keqtrajtimit. Në një intervistë për emisionin “People”, Rrapa ka shpjeguar se e kuptoi problemin pasi fëmija refuzoi të shkojë në kopsht dhe i tregoi shenjat në krahun e majtë, duke përmendur emrin e edukatores “Rudi”.
“Kur pamë kamerat e kopshtit, u tmerruam. Brenda vetëm dy orësh, pashë tre raste dhune, dhe djali im nuk ishte i vetmi fëmijë i dhunuar,” tha Rrapa gjatë intervistës.
Prindërit janë të tronditur nga situata, ndërsa Rrapa ka kërkuar drejtësi dhe ka apeluar për masa të menjëhershme ndaj personave përgjegjës. Policia po heton rastin dhe ka nisur kërkimet për edukatoren Rudina Gërdani, ndërsa drejtoria e kopshtit ende nuk ka bërë një deklaratë zyrtare mbi ngjarjen.
Ngjarja ka nxitur reagime të forta në rrjetet sociale dhe opinionin publik, duke sjellë në vëmendje shqetësimet për sigurinë dhe mbrojtjen e fëmijëve në institucionet parashkollore.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



