E mërkurë, 11 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
Fshihej me identitet të rremë në Greqi, arrestohet shqiptari i dënuar me 22 vite burg
Lajme

Fshihej me identitet të rremë në Greqi, arrestohet shqiptari i dënuar me 22 vite burg

Një 44-vjeçar shqiptar, i dënuar me 22 vite burg për vrasjen e dy vëllezërve në Shkodër, është arrestuar në Greqi, ku prej vitesh dyshohet se fshihej duke përdorur identitet të rremë. Bëhet fjalë për Zef Preldakajn, i njohur edhe si Fran Preldakaj, i cili në shtetin fqinj prezantohej me emrin Nikolin Pali dhe kishte ndryshuar edhe datëlindjen për të fshehur identitetin e tij të vërtetë.

Arrestimi u realizua në kuadër të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, falë bashkëpunimit mes Policisë së Shtetit shqiptar dhe autoriteteve greke. Zbulimi i identitetit të tij u bë i mundur përmes analizimit të të dhënave biometrike nga specialistët e Institutit të Policisë Shkencore.

Sipas Policisë së Shtetit, në këtë operacion bashkëpunuan Drejtoria e Interpol Tiranës, Instituti i Policisë Shkencore dhe strukturat homologe greke, përmes Interpol Athinës.

22 vite burg për masakrën ndaj dy vëllezërve në Shkodër

Preldakaj është dënuar në vitin 2008 nga Gjykata e Shkodrës me 22 vite burg për vrasjen e dy personave, krim të kryer në bashkëpunim dhe në rrethana të tjera cilësuese.

Ngjarja makabre daton në vitin 2002 dhe ndodhi në fshatin Shtoj i Vjetër në Shkodër. Sipas dosjes hetimore, Preldakaj dhe dy persona të tjerë kishin shkuar në ambientet e biznesit të dy vëllezërve, me qëllim grabitjen e xhiros ditore.

Tentativa për grabitje përfundoi në tragjedi, pasi gjatë përpjekjes së njërit prej vëllezërve për t’i marrë armën njërit prej autorëve, një nga bashkëpunëtorët hapi zjarr ndaj tyre. Të dy vëllezërit humbën jetën në vendngjarje.

Nga hetimet rezultoi se Preldakaj kishte pasur rolin e personit që qëndronte në hyrje të subjektit, duke mbuluar dhe garantuar veprimet e dy bashkëpunëtorëve të tij. Pas krimit, të tre u larguan nga vendi i ngjarjes.

I dyshuar edhe për vrasjen e dy personave në Greqi

Por dosja kriminale e 44-vjeçarit nuk përfundon me ngjarjen e rëndë në Shkodër. Autoritetet greke e kanë identifikuar atë si të dyshuar për një tjetër vrasje të dyfishtë, të ndodhur në vitin 2020 në Korinth.

Në këtë rast, viktimat ishin një shtetas grek dhe një shtetase ukrainase, trupat e të cilëve u zbuluan brenda një automjeti. Preldakaj është akuzuar nga drejtësia greke për përfshirjen në këtë ngjarje.

Gjithashtu, në Greqi ai rezulton me precedentë të tjerë penalë. Në vitin 2014 është proceduar për grabitje me armë dhe shkelje të legjislacionit për armët, në vitin 2013 për shkelje të ligjit mbi lojërat e fatit, ndërsa në vitin 2005 për posedim të lëndëve narkotike.

U zbulua nga shenjat biometrike, përgatitet ekstradimi në Shqipëri

Pavarësisht përdorimit të identiteteve të ndryshme dhe ndryshimit të datëlindjes, autoritetet arritën të zbulojnë identitetin e vërtetë të shqiptarit përmes krahasimit dhe analizimit të të dhënave biometrike.

Aktualisht, Interpol Tirana po bashkëpunon me autoritetet greke për dokumentimin e plotë të aktivitetit të tij kriminal dhe përgatitjen e dokumentacionit të nevojshëm për ekstradimin drejt Shqipërisë.

Arrestimi i Preldakajt rikthen në vëmendje rastet kur persona të kërkuar nga drejtësia shqiptare përdorin identitete të falsifikuara për t’iu shmangur autoriteteve, por edhe rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe teknologjisë biometrike në identifikimin e tyre.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.