Fyeu punonjësen, pezullohet ish-drejtori i Policisë Shkodër
Ish-drejtori i Policisë së Shkodrës, Gentjan Berberi, është pezulluar nga detyra dhe është vënë nën hetim disiplinor pas një incidenti të raportuar në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Ngjarja mësohet të ketë ndodhur këtë të enjte, kur Berberi është paraqitur në zyrën e drejtoreshës së Burimeve Njerëzore. Sipas burimeve zyrtare, ai dyshohet se ka përdorur gjuhë fyese dhe ka ushtruar presion verbal ndaj zyrtares, në reagim ndaj caktimit të tij në një detyrë më të ulët pas largimit nga posti drejtues në Shkodër.
Pas këtij episodi, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka firmosur pezullimin e menjëhershëm të Berberit, ndërsa Drejtoria e Standardeve Profesionale ka nisur verifikimet për shkeljet e pretenduara disiplinore.
Paralelisht, drejtuesja e Burimeve Njerëzore ka depozituar kallëzim penal pranë Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, duke e akuzuar ish-zyrtarin për ofendime dhe kërcënime gjatë ushtrimit të detyrës. Çështja aktualisht është në fazë verifikimi.
Vetëm pak ditë më parë, Gentjan Berberi ishte shkarkuar nga drejtimi i Policisë së Shkodrës për shkak të performancës së dobët, pas zbulimit dhe asgjësimit të disa parcelave me kanabis në territorin e qarkut. Pas këtij vendimi, ai ishte transferuar në një rol analitik në strukturat qendrore të Policisë së Shtetit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



