Gati për një dashuri të re? Monika Kryemadhi rrëfehet si kurrë më parë
Monika Kryemadhi ka folur hapur për ndjenjat e saj ndaj ish-bashkëshortit Ilir Meta, me të cilin është e divorcuar prej rreth një viti, duke pranuar se lidhja emocionale mes tyre nuk është shuar.
Në një intervistë, Kryemadhi u shpreh se vazhdon të besojë fort te dashuria, duke e cilësuar atë si një ndjenjë thelbësore dhe solemne për njeriun.
“Patjetër që besoj tek dashuria. Dashuria është kryesore. Ajo ngroh shpirtin e një njeriu. Kush nuk ka dashuri, nuk ka gjetur paqe as me veten, as me shoqërinë”, u shpreh ajo.
E pyetur për jetën e saj sentimentale pas ndarjes, Kryemadhi pranoi se ndjenjat për Ilir Metën vazhdojnë të ekzistojnë, ndaj nuk e sheh veten të gatshme për një lidhje të re.
“Nuk mendoj se jam në fazën për t’u dashuruar, sepse unë e kam dashurinë time ende. Pavarësisht marrëdhënieve dhe ulje-ngritjeve që kemi pasur, nuk jam e pangopur në dashuri”, tha ajo.
Sipas Kryemadhit, ndarja nuk do të thotë domosdoshmërisht fund i ndjenjave për të dyja palët, por shpesh është pasojë e ndryshimit të prioriteteve në jetë.
“Vjen një moment kur dikujt i mbaron dashuria, por kjo nuk do të thotë që mbaron edhe nga ana tjetër. Për mua, sot nuk është prioritet një dashuri tjetër”, u shpreh ajo në emisionin “Ftesë në 5”.
Në një nga deklaratat më personale, Kryemadhi theksoi se Ilir Meta ka zënë një vend të pazëvendësueshëm në jetën e saj.
“Për fatin tim të keq, ndoshta, por edhe për fatin tim të mirë, Ilir Meta ka qenë dashuria ime e parë dhe e fundit. E gjithë jeta ime politike ka nisur me Ilir Metën në krahë. Kemi kaluar shumë sfida bashkë dhe në fund ishte politika ajo që na ndau. Ilir Metën e kam dashur më shumë sesa mund të më ketë dashur ai mua”, tha Kryemadhi.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



