Gazeta italiane, Corriere Della Sera: Marrëveshja e emigrantëve me Shqipërinë kushton 653 milionë euro

Gazeta italiane Corriere Della Sera ka zbardhur detajet financiare të marrëveshjes së emigrantëve mes Shqipërisë dhe Italisë. Sipas gazetës, e cila citon relacionin teknik të protokollit të nënshkruar nga Rama dhe Meloni, kostoja totale e ngritjes së dy qëndrave të emigrantëve në Shqipëri do të jetë 653 milionë euro.

|Mes ndërtimit, menaxhimit dhe pajisjeve telematike, të dy strukturat në Gjadër dhe Shëngjin do të kushtojnë gati 69 milionë euro. Meqenëse rastet e ndërprerjeve të energjisë janë të shpeshta, është e nevojshme pajisja e zonës me gjeneratorë – lexojmë në raportin teknik që shoqëron Protokollin -. Duke qenë se rastet e ndërprerjes së furnizimit me ujë janë të shpeshta, veçanërisht në muajt e verës, është e nevojshme pajisja e zonës me depozita magazinimi; e gjithë zona nuk është e pajisur me kanalizim publik; prandaj, për shkarkimin e ujërave të zeza është e nevojshme të krijohet një rezervuar depozitimi me kapacitet të përshtatshëm që të zbrazet periodikisht me një makinë vetë-kulluese; shërben edhe si lidhje me rrjetin telefonik dhe internetin”. 25 milionë të tjera nevojiten për institucionin e vuajtjes së dënimit, thuhet në relacion.

Sipas gazetës, Italia duhet t’i japë Shqipërisë 94 milionë për mbikëqyrjen e jashtme. “Juridiksioni do të jetë italian, por Edi Rama do të bashkëpunojë me forcat e tij policore për sigurinë jashtë strukturave. Për udhëtimin, dietat, ushqimin dhe akomodimin e Karabinierëve, Policisë së Shtetit dhe Guardia di Finanza-s, kostot shtesë janë 260 milionë e 200 mijë euro,” citon më tej gazxeta.

Sipas saj, për 5 komisionet e reja territoriale që do të duhet të shprehin mendimin për të drejtën e azilit do të paguhen 17 milionë e 970 mijë euro. Ndërkohë, për 152 të punësuar të rinj përfshirë zyrtarë të Ministrisë së Brendshme dhe të Drejtësisë, magjistratë, gjyqtarë të paqes dhe drejtues të shëndetësisë 42 milionë e 507 mijë. Por kostot nuk mbarojnë këtu.

“Për marrjen me qira të klasave në Romë për videodëgjime, dritë dhe ngrohje 2 milionë e 920 mijë euro. Për të ndërtuar dhe pajisur 20 salla gjyqi për seancat në Shqipëri dhe për lidhje telematike nga Italia për avokatët mbrojtës 8 milionë e 730 mijë,” vijon më tej Corriere.

Sipas gazetës, shpenzimet e udhëtimit për avokatë dhe përkthyes do të paguhen 29 milionë e 160 mijë euro.

“Në përfundim të procedurave të vlerësimit – thotë neni 9 i Protokollit – autoritetet italiane me shpenzimet e tyre do të largojnë emigrantët nga territori shqiptar” ). Domethënë për kthimin në Itali, kostoja e qirasë së anijeve, automjeteve dhe pajisjeve është 104 milionë të tjera. Pra kostot totale për pesë vjet shkojnë rrumbullak në 653.5 milionë euro,” përfundon Corriere.

Publikuar nga Publik Media