Gazetari investigative Artan Hoxha mbrëmjen e sotme i ftuar në studion e lajmeve në Report TV ka zbardhur një ngjarje shumë pak të raportuar nga media, ndodhur ditën e djeshme në Elbasan.
Hoxha tregoi se pasditen e së premtes, më datë 28 dhjetor 2018, rreth orës 16:00, shtetasi Aurel Guni është marrë peng për llogari të një grupi kriminal shumë të njohur në Elbasan dhe e gjithë ngjarja ka ndodhur në rrugën më të populluar të qytetit, pranë Universitetit “Aleksandër Xhuvani”.
Sot Artan Hoxha i bëri thirrje mediave të raportojnë ngjarjet në të kundërt do të kishim pasoja edhe më të rënda. Fill pas kësaj deklarate të tij, ekzaktësisht 1 orë e 15 minuta më vonë u regjistrua përplasja me armë zjarri mes dy bandave, ku mbetën të vdekur 3 persona. Viktimat janë shtetasit Indrit Alibej, Arben Dylgjeri dhe një tjetër shtetas kolumbian me iniciale E.K, i cili rezulton me precedent të mëparshëm penalë.
E gjithë ngjarja raportohet se ka ndodhur në prani të vetë familjarëve të viktimave, por ende nuk ka një dëshmi prej tyre. Policia ka bërë me dije se po kryen kontrolle e shoqërime dhe një sërë veprimesh të tjera për të bërë të mundur zbardhjen e ngjarjes.